Në çdo pushim, Gabriela Alfonso Cabrera i shikonte me bisht të syrit djemtë duke luajtur futboll. Ajo ishte aq e magjepsur nga loja e futbollit, saqë më në fund iu afrua mësueses së saj të klasës së pestë për t’i thënë se dëshironte të luante. Por mësuesja ia kujtoi Gabrielas se ishte vajzë.
“Doja të luaja, por nuk më linin të luaja në shkollë me arsyetimin se po të lëndohesha, do të filloja të qaja”, kujton ajo.
Tani 14 vjeçe, Gabriela ndonjëherë është ende vajza e vetme që luan përkrah djemve që janë më të mëdhenj dhe më të fortë. Por ajo nuk dorëzohet. Ka pritur katër vjet për ta ndarë një fushë me ta. Ajo është një nga qindra lojtarët që trajnerët anembanë Kubës po i stërvitin si pjesë e një programi të saponisur për ta ngritur profilin dhe statusin e futbollit në një vend që u kualifikua për herë të fundit në Kupën e Botës për meshkuj në vitin 1938, duke humbur nga Suedia 8:0 në çerekfinale.
Një grup fillestar prej 16 trajnerësh u trajnuan kohët e fundit nga zyrtarë ndërkombëtarë të FIFA-s, organi drejtues i sportit me bazë në Zvicër, me synimin për ta rritur gjeneratën e ardhshme të futbollistëve të Kubës, ishullin e njohur prej kohësh për superyjet e bejsbollit dhe boksit. Këta trajnerë do të jenë përgjegjës për trajnimin e më shumë se 1500 trajnerëve të tjerë në të gjithë ishullin në muajt e ardhshëm. Synimi është që Kuba të kualifikohet në Kupën e Botës në dekadën e ardhshme, diçka që nuk e ka arritur për gati një shekull.
“Shpresojmë t'ia dalim”, tha trajneri Hector Noa Cuadro, i cili filloi të luante në moshën 13-vjeçare në provincën e Guantanamos, pasi pa Argjentinën ta fitonte Kupën e Botës në vitin 1978.
Ai tha se futbollistët e rinj kubanë kanë forcë të mirë fizike, por duhet t’i përmirësojnë aftësitë e tyre teknike, përfshirë mënyrën e driblimit të topit, përdorimin e kombinimeve të pasimeve midis dy ose më shumë lojtarëve dhe teknikën e gjuajtjes. Në një mëngjes së fundi, Cuadro qëndroi mënjanë në stadiumin kombëtar të futbollit “Pedro Marrero” në Havana dhe vëzhgoi me kujdes lëvizjet e shumë lojtarëve të rinj, pothuajse të gjithë djem, përveç Gabriela Alfonsos, vajzës së klasës së tetë dhe motrës së saj binjake.
“Kjo është! Lëvizim! Shkoni më gjallë!!”, trajnerë të ndryshëm bërtisnin, ndërsa lojtarët luanin ndaj njëri- tjetrit me jelekët e gjelbër dhe të portokalltë.
Objektivi atë ditë ishte që lojtarët të zhvillonin lojën e tyre sulmuese duke organizuar sulme dhe duke depërtuar përmes mbrojtjeve. Reniel Bonora, i cili ka drejtuar ekipin e meshkujve U20, foli për sfidat e shndërrimit të futbollit në një sport popullor në Kubë, pavarësisht embargos së SHBA-së, mungesës së burimeve dhe krizës ekonomike. Dy vjet më parë, Bonora tha se hapi dy fabrika për të prodhuar kapele dhe topa për ekipin vendas të femrave që ai stërviti, sepse nuk donte të humbte lojtare të talentuare për shkak të mungesës së pajisjeve.
Bonora, që zgjodhi një karrierë në futboll në vend të qenët një shahist profesionist, gjithashtu vuri në dukje se nuk ka para për ekipet kubane të fluturojnë diku tjetër për të luajtur lojëra me kundërshtarë që do të ndihmonin në përmirësimin e aftësive të tyre.
“Këto janë gjërat që po na kufizojnë”, tha Bonora, duke shtuar se kubanët janë detyruar të bëhen jashtëzakonisht të shkathët për të krijuar gjëra të ngjashme me kone plastike dhe pajisje të tjera.
Situata ka bërë që futbollistët e mirënjohur kubanë të largohen gjatë turneve rajonalë, gjë që e ka bërë edhe më të vështirë ndërtimin e një ekipi kombëtar pasi talentet po largohen nga një ishull që në FIFA aktualisht renditet në vendin e 167 nga 211 vende. Shumë prej tyre janë bashkuar me ekipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dy dekadat e fundit, përfshirë mesfushorët Osvaldo Alonso te Atlanta United FC dhe Maikel Chang te Real Salt Lake në Major League Soccer. Në një moment e gjithë përfaqësuesja e Kubës u largua nga ishulli për të luajtur në Gjermani, pasi nënshkroi një kontratë gjashtëmujore me Bonner SC, një klub i kategorisë së katërt, në janar të vitit 1999. Grupi përfshinte 15 lojtarë, dy trajnerë, një përkthyes, një fizioterapeut dhe një kuzhinier.
Renditja më e mirë e ekipit të meshkujve të Kubës ishte vendi i 46-të në vitin 2006, përpara se të zbriste në vendin e 182 në vitin 2018, që edhe është rangimi më i dobët në histori. Ndërkohë përfaqësuesja e femrave renditet në vendin e 97-të nga 185 vende.