Sport

Klubeve “pa adresë” u dalin telashe me Agjencinë Anti-Doping

Klubi i futbollit Gjilani pak ditë më parë ka tejkaluar një problem të madh – shuarjen. Por, klubi i Gjilanit nuk i ka shpëtuar vërejtjes që ka marrë nga Agjencia e Kosovës për Anti-Doping. Është kjo hera e dytë që Gjilani ka marrë vërejtje për shkak se nuk ka njoftuar me kohë vendndodhjen dhe orarin e stërvitjeve. Vërejtje kanë marrë edhe klubet e tjera të Kosovës, kryesisht ato klube që kanë telashe me lokacionin e stërvitjeve dhe orën e mbajtjes së tyre.

“Kemi marrë vërejtje ende pa nisur sezonin. Kemi pasur afat të lajmërojmë nga 15 deri 17 gusht. Por ne nuk mund të njoftojmë për planifikimin, sepse na ndryshon thuajse çdo ditë. Po kemi problem shkaku i terminëve. Nuk mund ta kemi gati agjendën për dy javë. Kemi kërkuar mirëkuptimin. E kemi njoftuar edhe Agjencinë edhe Federatën për këtë problem që e kemi. Edhe klubet e tjera sa kam informata janë ankuar në Federatë, sepse është e pamundur të dorëzojmë planifikimin dyjavor. Nuk kemi marrë përgjigje për takim, por vetëm kemi marrë informata për ndjekje të seminareve”, ka theksuar Sylejmani.

Ai insiston se nuk mund ta dorëzojnë agjendën për dy javë. Sylejmani thotë se në fushën me bari sintetik në Gjilan, stërviten edhe Drita, Galaksia e po ashtu edhe gjeneratat e reja. Pra, sipas Sylejmanit, termini i stërvitjeve u ndryshon për shkak të ngarkesës. Telashe me adresë ka edhe klubi i Prishtinës. Prishtina në vitet e fundit ka ndërruar shumë lokacione për stërvitje dhe lojë. Shumë ndeshje nuk i ka luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, por në qytete të ndryshme.

“Çdo dy javë duhet ta lajmërojmë Agjencinë Anti-Doping për vendndodhjen dhe orarin e stërvitjeve. Edhe kur shkojmë në karantinë duhet të tregojmë se ku vendosemi e po ashtu edhe numrat e lojtarëve. Deri tash na kanë ardhur dy herë, në ndeshjen kundër Malishevës dhe në finale të Kupës. Testimi është bërë me short. Ndaj Malishevës është testuar Mevlan Zeka kurse në finale Elton Cale. Ne ende nuk kemi marrë përgjigje për Mevlan Zekën edhe pse ka kaluar një kohë të gjatë”, ka thënë Sylejmani.

Agjencia e Kosovës për Anti-Doping ka kryer më shumë se 50-të testime të sportistëve të sporte të ndryshme. Testime për doping janë bërë së fundmi në ndeshjet e fundjavës të Superligës. Për shembull, në ndeshjen Liria – Drita, e zhvilluar të shtunën janë marrë disa mostra.

Kosova pa laborator për analizimin e mostrave

Kosova nuk posedon laborator të akredituar nga Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) për analizimin e mostrave për kontrolle të dopingut. Gjitha mostrat dërgohen jashtë vendim për analizim. Asnjëri prej sportistëve të Kosovës nuk kanë rezultuar pozitiv në testet për doping nga Agjencia Anti-Doping e Kosovës.

“Në testimet që janë bërë nga ne deri më tani nuk i kemi pranuar ndonjë rezultat pozitiv nga laboratori për sportistët tanë. Megjithatë, duhet pasur parasysh që gjetjet e një substance të ndaluar ose metaboliteve të saj në mostrën e sportistit është vetëm njëra nga shkeljet e rregullave anti-doping që zbulohet vetëm përmes testimit të mostrave të marra nga sportisti dhe të analizuara në laboratorët e akredituara nga WADA”, ka thënë koordinator i Agjencisë së Anti-Dopingut të Kosovës, Bernard Tahirbegolli për KOHËN.

Tahirbegolli është specialist i mjekësisë sportive, ndërsa edhe më herët ka qenë pjesë e Agjencisë së Kosovës për Anti-Doping, në cilësinë e zyrtarit për kontrollin e dopingut. Agjencia është themeluar në vitin 2019 nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) pas rekomandimit të marrë nga Organizata Botërore e Anti-Dopingut (WADA).

“Kosova ka numër të mjaftueshëm të zyrtarëve të kontrollit të dopingut. Së fundi i janë shtuar edhe 13 persona që kanë përfunduar edukimin teorik të nevojshëm dhe do të jenë të gatshëm për kontrollet e dopingut si jashtë garave ashtu edhe brenda tyre në territorin e Kosovës”, është shprehur Tahirbegolli.

Testime me kërkesë të Federatave Ndërkombëtare

Agjencia e Kosovës për Anti-Doping me testime ka nisur në vitin 2021. Vitin e kaluar në gara dhe jashtë tyre janë bërë më shumë se 50 teste, përkatësisht në 12 sporte të ndryshme. Disa testime janë bërë edhe me kërkesë të Federatave Ndërkombëtare.

“Testimi i sportistëve kosovar ka filluar shumë më herët, kur kanë marrë pjesë në garat e nivelit ndërkombëtar. Ne kemi filluar me testime në vitin 2021. Disa nga testimet janë bërë edhe me kërkesë të Federatave Ndërkombëtare. Nuk do të duhej askush ta sheh ndryshe kontrollin e dopingut veçse si pjesë e sportit. Filozofia është që asnjë sportist nuk do të duhej të ballafaqohet me anti-doping për herë të parë kur përzgjidhet për testim. Por secili pjesëtar i komunitetit sportiv, veçanërisht sportistët fillimisht të njoftohen me anti-dopingun përmes edukimit dhe të njohin rregullat anti-doping”, thotë Tahirbegolli.

Aktualisht, Agjencia Anti-Doping si institucion ekzekutiv nuk është funksional sipas ligjit për Anti-Doping. Të gjitha funksionet e zbatimit të kodit botëror Anti-Doping, testimet për kontrolle të dopingut, monitorimin e shkeljes potenciale të rregullave anti-doping, dhënies së lejeve për përdorimin e përjashtuar terapeutik, menaxhimin e rezultateve dhe edukimin e komunitetit për Anti-Doping, e kryen Komisioni për Anti-Doping pranë Komitetit Olimpik të Kosovës.

“Në një të ardhme të afërt, të gjitha përgjegjësitë do t’i kalojnë Agjencisë Anti-Doping me funksionalizimin e saj”, ka theksuar Tahirbegolli.

Tahirbegolli thotë se nuk kanë informata apo dëshmi për prezencën në Kosovë të përdoruesve të substancave dhe metodave të ndaluara nga WADA. Tahirbegolli thotë se deri tash në testimet e bëra për kontrolle të dopingut nuk ka rezultuar ndonjë sportist me prezencë të substancave të ndaluara apo metaboliteve të tyre

“Për të rritur mundësitë e shkeljes së rregullave Anti-Doping është krijuar edhe mundësia që në mënyrë anonime, kushdo të mbështesë me informacione dhe fakte eventuale për shkeljen e rregullit apo rregullave Anti-Doping në Komitetin Olimpik të Kosovës”, ka thënë Tahirbegolli.