Sport

Golat më madhështorë të Maradonas

Pak lojtarë ishin të zotët me topin si Diego Armando Maradona. Nga gjuajtjet e lira, që ishin mahnitëse, e deri te driblimet fantastike, argjentinasi, i cili vdiq në moshën 60-vjeçare, shënoi disa prej golave më të famshëm dhe emocionues në historinë e futbollit, shkruan AFP.

“Goli i Shekullit”

Goli i vetëm individual kundër të cilit do të gjykohen të gjithë golat e tjerë në mënyrë individuale. I quajtur si “Goli i Shekullit” nga FIFA në vitin 2002, sllallomi i shpejtë i tij ndërmjet kundërshtarëve në Meksikë në vitin 1986 u dha fund shpresave të Anglisë në Kampionatin Botëror dhe çimentoi pozicionin e Maradonas si futbollisti më i mirë në botë. Goli i Maradonas kalon të gjithë golat e tjerë të ngjashëm, jo vetëm për shkak të ndikimit të tij dhe faktit se u shënua vetëm pak minuta më vonë pas golit të tij famëkeq që njihet si “Dora e Zotit”, por për shkak të efikasitetit dhe ekzekutimit të tij. Maradona e shënon golin e dytë brenda pesë minutave kundër Anglisë, duke u rrotulluar i lirë në fushë dhe duke shmangur futbollistët kundërshtarë përpara se ta shkundte rrjetën. “Diego më siguroi se donte ta pasonte topin tek unë disa herë, por gjithmonë kishte ndonjë pengesë që ta detyronte atë t’i ndryshonte planet”, tha më vonë sulmuesi Jorge Valdano, i cili ndoqi Maradonën në fushë. “Por, le të mos e mashtrojmë veten, unë jam i bindur që Diego nuk do ta lëshonte kurrë atë top. Gjatë gjithë këtyre 10 sekondave dhe 10 prekjeve, ai ndryshoi mendjen e tij qindra herë, sepse kështu funksionon mendja e gjeniut në veprim”.

“Gjuajtja e lirë hyjnore” që pushtoi Napolin

Me nofkën “Gjuajtja e lirë hyjnore” në Itali, goli ikonik i Maradonas, që ia siguroi fitoren Napolit në shtëpi kundër Juventusit të Michel Platinit në nëntorin e vitit 1985, ishte ai që e krijoi legjendën e argjentinasit në qytetin italian. Duke qëndruar përpara goditjes indirekte brenda zonës së penalltisë, legjenda thotë se Maradona i kërkoi mesfushorit Eraldo Pecci që t’ia shtynte topin për një goditje pavarësisht afërsisë së murit të krijuar nga lojtarët e Juventusit. Me lojtarët e Napolit të zemëruar me kundërshtarët e tyre që nuk shkonin më shumë prapa, Maradona thjesht tha: “Mos u shqetësoni, gjithsesi do të shënoj”. Një prekje e shpejtë nga Pecci ishte e gjitha që i duhej Maradonas për të goditur topin që kaloi mbi murin e gjallë të lojtarëve të Juventusit dhe shkundi portën e portierit Stefano Tacconi. “Me këtë gol”, shkroi Maradona në vitin 2017, “pushtova zemrat e napolitanëve”.

Breshëria “El Pibe” në Verona

Kishte shumë gola të rëndësishëm në mesin e 115 golave të Maradonas për Napolin, por shumë pak u matën me parabolën fantastike në fitoren e thellë 5:0 ndaj kampiones në fuqi, Veronas, në tetor të vitit 1985. Pasi mori një pasim në krahun e majtë, Maradona e pa portierin Giuliano Giuliani të pozicionuar disa metra larg portës së tij. I shpejtë si një blic dhe me topin akoma duke kërcyer, Maradona bëri një hap dhe lëshoi një goditje drejt portës dhe në atë moment Giuliano e kuptoi se do të poshtërohej nga argjentinasi që shënoi gol fantastik.

Shkatërrimi i derbit

Një tifoz i përjetshëm i Boca Juniorsit, Maradona, kaloi mezi një vit e gjysmë në klubin e tij të fëmijërisë përpara se të largohej për në Evropë. Por, ai shpejt fitoi zemrat e mbështetësve të gjigantëve të Buenos Aires me lojën e tij të mrekullueshme sulmuese. Në nëntor të vitit 1981, Maradona ndezi stadiumin “Monumental” të River Plates, me një lloj vizioni që e çoi atë në majë të lojës, duke shënuar nga një kënd i ngushtë në krahun e majtë. Gjuajtja lundroi dhe fluturoi prapa portierit të hutuar të Argjentinës, Ubaldo Fillol, i cili dëshpërimisht u mundua ta evitojë poshtërimin sikurse Giuliani i Veronas. Fillol vrapoi kot drejt portës së tij, sepse ai u poshtërua para se të lëvizte.