Shigjetari Atdhe Luzhnica nuk është shumë i bindur se do ta arrijë normën për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, që shkaku i pandemisë janë shtyrë për verën e vitit të ardhshëm. Thotë se shpresat i janë zbehur pasi numri i garave kualifikuese që do t'i ketë deri para Lojërave Olimpike, është kufizuar shkaku i pandemisë së koronavirusit. Mirëpo, 43-vjeçari nga fshati Luzhnicë i Suharekës, shpresën nuk e ka humbur. Punon goxha shumë për ta realizuar ëndrrën që deri para pensionimit të marrë pjesë me Kosovën në një olimpiadë.
“Habiten kur më shohin në këtë moshë që gjuaj me shigjeta. Por, nuk hyj ende në kategorinë e garuesve veteranë pasi në olimpiadë lejohet pjesëmarrja deri në moshën 55-vjeçare. Kam ende kohë për t'u marrë me këtë sport, me shpresën që të arrij pjesëmarrjen në një olimpiadë. Por, edhe po të mos e arrij", thotë Luzhnica, i përzgjedhur si bursist nga Komiteti Olimpik i Kosovës për LO "Tokio 2020", raporton KOHA.
Por, edhe po të mos ia dalë, thotë se ka arritur mjaftueshëm. Megjithatë, dëshirën për punë ende e ka. Jo larg shtëpisë së ku jeton, Luzhnica ka improvizuar një hapësirë për stërvitje me gjuajtje me hark në distancë prej 70 metrash. Daljet për stërvitje në një fushë të fshatit i ka të rregullta. Terreni nuk është edhe aq i përshtatshëm, por Luzhnica insiston se është mësuar. Ai ishte bashkë me një të ri që kishte nisur t'i merrte hapat e parë në këtë sport. Luzhnica stërvitjen e së martës kur është vizituar nga KOHA, e zhvilloi pa trajner. E pa trajner ka qenë që nga fillimi i karrierës.
“Këtë hapësirë që e shfrytëzoj është e mirë për stinën e verës, por në dimër është problem shkaku i ambientit të ftohtë në palestra e salla të shkollave”, shprehet Luzhnica që për një kohë nuk kishte as palestër të stërvitej, të cilin thotë se ia kishin ndaluar. “Vetë, pasi bëra zhurmë më është bërë një zgjidhje. Më është ofruar mundësia të stërvitem në një palestër, por që ambienti nuk është i ngrohtë gjatë stinës së dimrit. Neve na duhet ambient i ngrohtë për t'u stërvitur sa më lirshëm, pa pasur tepricë të rrobave në trup”.
Në fakt, jo vetëm Luzhnica, por edhe sportistë të tjerë të këtij sporti hasin në vështirësi për të gjetur vend të përshtatshëm për t'u stërvitur. Në shumë raste improvizojnë poligone të gjuajtjes me hark në vende të ndryshme, për shembull edhe në oborre të shkollave. Problemi më i madh mbetet në stinën e dimrit.
“Në kushte të ftohta është mirë të mos gjuash asnjë shigjetë, prandaj shpresojmë që për të rinj të krijohen kushte të mira, të kenë një poligon dhe një palestër me ambient të ngrohtë. Derisa unë kam arritur që në moshën 30-vjeçare të arrij këto rezultate, pa pasur trajner afër vetes, pse këta të rinj të mos i synojnë rezultatet e mira kur tash më kanë mua si instruktor i licencuar. Sportistët elitarë që dominojnë në këtë sport rrjedhin nga familjet që e kanë trashëguar këtë sport. Ne jemi gjenerata e parë, kurse për të rinjtë është ambient i mirë për t’i synuar majat në arenën botërore”, insistoi Luzhnica.
Atij i janë ndaluar stërvitjet në një shkollë në Suharekë, por ka gjetur një ambient tjetër ku shpreson të ketë kushtet e përshtatshme për t'u përgatitur mirë për garat që do t'i ketë vitin tjetër. Luzhnica e ka përfaqësuar Kosovën në ngjarje të mëdha. Ka marrë pjesë në dy kampionate botërore dhe tri evropiane. Rezultatet kulminante i kanë munguar, por jo edhe dëshira për të vazhduar të merret me shigjetari. Ai pret të arrijë normën minimale për pjesëmarrje në olimpiadë.
“Ky është edhe synimi im, megjithëse shkaku i pandemisë do t'i kem vetëm edhe dy mundësi për të arritur normë. Dy garat kualifikuese që është dashur të mbahen këtë vit, janë shtyrë për vitin tjetër. Kjo pandemi na ka sjellë goxha telashe dhe na ka kthyer prapa, por unë ende shpresoj se do ta arrij normën olimpike. Për të arritur normë olimpike duhet që në një garë të mbledh 640 pikë, unë jam afër e që shpresoj ta arrij”, është shprehur ai.
Ushtar i UÇK-së dhe ndër themeluesit e Federatës
Luzhnica pranon se shigjetarinë e ka nisur për rekreacion, meqë sipas tij, shokët e njohin si futbollist të mirë. Pranon se këtë sport e ka nisur në moshë madhore.
“Si i ri e kam dashur sportin, jo këtë sport, ndonëse kemi bërë si fëmijë harqe me të cilat edhe kemi luajtur, por jo se unë të merrem një ditë me këtë sport. Shokët më kanë njohur si një futbollist të mirë, sport të cilin e kam dashur shumë. Mirëpo, për shkak se Luzhnica njihet si një fshat i thellë, nuk i kam pasur mundësitë të avancohem apo të regjistrohem në ndonjë klub futbolli. Ëndrra të merrem me një sport gjithmonë ka qenë e pranishme tek unë”, është shprehur ai.
Luzhnica shkollën e ka përfunduar në Suharekë. Tregon se ka hasur në vështirësi shkau i largësisë së fshatit të tij në qytetin e Suharekës. Por, ai thotë se nuk është ndalur asnjëherë, ashtu siç nuk ndalet duke ndjekur ëndrrën olimpike.
“Me të nisur studimet, nisi edhe lufta në Kosovë, së cilës si i ri i jam bashkëngjitur edhe unë. Kam rënë në duart e serbëve gjatë luftës, ku për dy vjet e gjysmë kam qenë i burgosur. Pas lirimit nga burgu kam vazhduar studimet dhe në vitin 2007. Bardhyl Luzhnica, i cili po ashtu është marrë me sportin e kung-fusë, ku ka pasur rezultate në Gjermani, me kalimin e kohës ka nisur të merret edhe me sportin e harkut. Për një periudhë të shkurtër është avancuar në klubin e regjistruar në Gjermani. Dëshira e tij ishte që pas përfundimit të luftës në Kosovë, të merremi me këtë sport”, shpjegon Luzhnica që është baba i katër fëmijëve, tri vajzave dhe një djali. “Provuam fillimisht të organizohemi me Shqipërinë, por nuk ia dolëm, pastaj vazhduam në Kosovë, ta bëjmë fillimisht klubin e pastaj të organizoheshim për themelimin e Federatës. Klubin e parë e kemi formuar në Luzhnicë, kryesisht me familjarët, që është dashur të figuronin në letër, por jo që kanë qenë shigjetarë. Pra, kështu ka qenë nisma ime e parë e karrierës si shigjetar".
Ai insiston se fillimi ka qenë i vështirë, por ndihma që ka marrë nga persona të ndryshëm i ka ndihmuar goxha. Fillimisht thotë se ka marrë mësime nga personat e sportit të qitjes me pushkë, ndërsa edhe ish-kryetari i Federatës së Shenjëtarisë së Kosovës, Ali Pllana, dhe kryetari aktual i Federatës së Shigjetarisë, Agron Mala, nga Drenasi, që po ashtu ka qenë qitës me pushkë para se të merrej me shigjetari.
“Mala na është bashkuar në formimin e klubit dhe ka qenë edhe sekretari i parë i Federatës. Në vitin 2008 e kemi krijuar klubin e parë dhe pesë klube të tjera në tri regjione, ashtu siç kërkohej për themelimin e një federate. Klubet janë themeluar në Skenderaj, Drenas, Prishtinë e kështu me radhë. Kemi avancuar shpejt, kemi fituar edhe pranimin në federatën ndërkombëtare, por gjithçka kemi arritur ta bëjmë me forcat tona, me mjetet tona dhe me pajisjet që na ka sjellë Bardhyli nga Gjermania, ashtu si i ka sjellë, duke i blerë e duke fituar nga donacionet”, ka thënë Luzhnica, që me këtë sport ka nisur të merret në moshën 30-vjeçare. “Kam avancuar shumë shpejt dhe që nga vitet 2014-2015 kam arritur të jem kampion i Kosovës dhe vazhdoj më tutje, ku tash jam i përzgjedhur edhe bursist olimpik nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Kemi pasur shumë peripeci gjatë kësaj kohe”.
Ai ngul këmbë se këtë sport nuk e kishte nisur për të arritur suksese, por për t'iu bashkuar misionit të Bardhyl Luzhnicës në themelimin e Federatës.
“E kam nisur vetëm për rekreacion, jo me ndonjë synim, por vetëm t’i shtyj të rinjtë të merren me këtë sport. Megjithatë, gjatë rrugës filloi të më pëlqente. Këshillat që i kam marrë nga Bardhyli kanë qenë produktive, më kanë ndihmuar shumë dhe kam avancuar shpejt. Më ka nxitur për të mos u ndalur në dimër e verë e kushte të këqija. Jam ambientuar ashtu siç kam mundur, kam krijuar ambient ku më është dhënë mundësia vetëm për të mos e ndalur punën. Duket sport i thjeshtë, por hyn në kategorinë e sporteve të rënda. Kërkon angazhim, stërvitje të shpeshta, pa u shkëputur fare. Një pauzë e shkurtër ndikon në rënien e rezultateve. Prandaj, kërkohet punë intensive”, ka deklaruar Luzhnica.
Instruktor i certifikuar i harkut
Luzhnica nuk do të ishte i zhgënjyer shumë edhe nëse nuk do të arrinte ta fitonte normën olimpike. Dëshirën dhe synimin e ka.
“Ëndrra ime ka qenë që në një formë ta jap kontributin për shtetin tim. Një prej kontributeve është edhe kjo, përveç angazhimit tim në arsim, më bën të ndihem krenar edhe angazhimi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Por, edhe kjo mënyrë e përfaqësimit të shtetit nëpërmjet sportit në garat ndërkombëtare me flamurin që e kemi krijuar apo fituar më bën të ndihem mirë. Mendoj se është një kontribut i madh dhe vetëm ata që e kanë mundësinë ta përfaqësojnë Kosovën jashtë kufijve e kuptojnë rëndësinë. Ka njerëz që e neglizhojnë e po ashtu e nënvlerësojnë, mirëpo ata që merren me sport, që e kanë përfaqësuar shtetin e kuptojnë rëndësinë”, ka deklaruar Luzhnica.
Ai insiston se Kosova është goxha më mirë se disa shtete, duke iu referuar atyre fqinje. Madje, edhe me ndihmën financiare që shteti ua bën, thotë se nuk janë keq.
“Kur bëj krahasimin me shtetet rreth nesh, ku kanë ndoshta mbi 100 vjet shtet, nuk është se kanë avancuar shumë. Prandaj, mendoj se shteti ka bërë për ne, nuk mund ta injoroj mbështetjen. Na ka ndihmuar”, ka thënë ai.
Luzhnica stërvitet çdo ditë për rreth një orë, por pa e ulur ritmin dhe vullnetin për punë. Me vete mban gjithmonë flamurin e Kosovës, atë që synon ta mbajë edhe në ngjarjen më të madhe në sport - Lojërat Olimpike. Në krahun e djathtë të vijës së gjuajtjes mban një teleskop, për të parë se sa ishte afër numrit dhjetë. Gjurmët tregonin se ai kishte gjuajtur në pikën e duhur. Por, pranon se është ende larg. Atij nuk i mungojnë pajisjet për të gjuajtur në cak.
“Jam i kompletuar sa u përket pajisjeve, por nuk mund t'i ndjekim sportistët elitarë, sepse ata kanë edhe sponsorë. Këto pajisje që i kemi, janë të nivelit që garojnë edhe sportistët elitarë. Në Kosovë kur dikujt i thua fjalën sport, në mendje kanë gjithnjë topin, por nuk është gjithmonë topi. Ka edhe sporte të tjera si ky me hark që është sport i vjetër dhe shumë atraktiv, dhe të nxitë gjithmonë ta arrish cakun, pra pikën kryesore. Është sport që të bënë ta kontrollosh veten. Prandaj, pres mbështetje edhe në vazhdim”, ka deklaruar Luzhnica që pranon se rezultatet nuk janë edhe aq të mëdha dhe thotë se ka mundur të arrijë edhe më shumë. “Ndoshta kam mundur të arrij më shumë, por unë kam stërvitur pa pasur asnjë trajner afër vetes, ndonëse kam konsulta të rregullta me Bardhylin, Agronin dhe të tjerët. Gjithçka që kam arritur, e kam arritur duke eksperimentuar”.
Atë që nuk ka pasur mundësi ta mësojë nga të tjerët, Luzhnica thotë se e kanë të rinjtë. Ai tashmë është bërë instruktor i harkut i certifikuar ndërkombëtarisht. Por dëshira më e madhe e tij, është që një ditë të themelojë edhe Shkollën e harkut në Komunën e Suharekës. Por, ku pyetet nëse me këto kushte që janë tash do të mund të arrinte ta bënte shkollën, uli kokën. Thotë se i duhet një poligon, që është premtuar me vite, por që nuk është ndërtuar asnjëherë.
“Na duhet një poligon, që është prioritet për t’i plotësuar kushtet, gjë të cilën e kam ëndërr dhe synim ta bëj, jo më për vete, por për të rinjtë që të largohen nga përdorimi i telefonave të mençur”, shtoi Luzhnica, meraku i të cilit është se pse nuk e ka filluar këtë sport më herët. “Më ka mbetur merak futbolli, por meraku im më i madh është që nuk kam filluar më herët me harkun, sepse sa më i pjekur që je, aq më afër rezultateve të mira mund të jesh. Po shpresoj që gjeneratat e reja do të jenë më të saktë në shenjë. Shpresojmë që Kosova në këtë sport të jetë në ranglistën e epërme të sporteve, e jo të poshtme”.