Sport

Dueli i veteranëve të Kroacisë dhe Belgjikës nuk lë hapësirë për të rinjtë

Kur “Gjenerata e artë” e Belgjikës të takohet me veteranët e suksesshëm të Kroacisë në një ndeshje vendimtare të Kupës së Botës të enjten, nuk do të ketë shumë vend në fushë për lojtarët më të rinj. Kroacia, e cila arriti në finale katër vjet më parë, dhe Belgjika, e cila përfundoi e treta në vitin 2018, mbështeten secila në një grup të madh lojtarësh me përvojë. 20-vjeçari i Kroacisë, Joshko Gvardiol, dhe 25-vjeçari, Nikola Vlashiq, si dhe 21-vjeçari i Belgjikës, Charles de Ketelaere, bëjnë një përjashtim. Ndërsa Amadou Onana i Belgjikës mungon në ndeshjen e Grupit F që nis në orën 16:00, për shkak të suspendimit. I njohur me nofkën “Pepi i Vogël” për shkak të ngjashmërisë se mbiemrit të tij dhe të trajnerit të Manchester Cityt, Pep Guardiola, Gvardiol fizik tashmë është bërë një lojtar i rëndësishëm në qendër të mbrojtjes së Kroacisë dhe Leipzigut.

“Me vetëm 20 vjet, ai ka dëshmuar se mund të luajë në nivelet më të larta. Është një lojtar i rëndësishëm për ekipin tonë”, pranoi mesfushori i Kroacisë, Mateo Kovaçiq.

Nikola Vlashiq zakonisht luan si mesfushor ofensiv, por në ekipin e Kroacisë që në mesfushë ka lojtarë si Luka Modriq, Marcelo Brozoviq e Kovaçiq, ai përdoret si sulmues krahu. Si njëri prej mesfushorëve me statistikat më të mira në Serie A, Vlashiq është i përfshirë pothuajse në çdo sulm të Kroacisë.

“Të gjithë kur flasin për Kroacinë automatikisht mendojnë për tre mesfushorët që i ka me përvojë. Por, ky ekip është më i rrezikshëm edhe për shkak të lojtarëve të tjerë që tashmë ka filluar t’i integrojë. Kroacia tashmë ka disa lojtarë të rinj dhe do të kemi vështirësi për ta mposhtur, por neve na duhet fitorja”, paralajmëroi trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez.

Belgjika gjithashtu mbështetet te veteranët, sidomos në repartin e sulmit me Eden Hazardin, Kevin de Bruynen e Romelu Lukakun, i cili është rikuperuar nga lëndimi dhe do të jetë titullar ndaj Kroacisë. Lukaku në dy ndeshjet e para është zëvendësuar nga De Ketelaere dhe te Belgjika janë të kënaqur me atë që ka treguar deri më tani në turneun e Katarit.

“Disa nga lojtarët e rinj që nuk kanë luajtur shumë po rriten prapa skenave. Unë mund të ndiej se ata mund të thirren kur të jetë e nevojshme dhe ndaj Marokut ata luajtën shumë mirë”, tha Martinez.

Kroacia mund të sigurojë një vend në 1/8 e finales me një fitore ose edhe një barazim, ndërsa Belgjika duhet të fitojë për të siguruar avancimin nga grupi. Kroacia dhe Maroku kryesojnë Grupin F me nga katër pikë, Belgjika ka tri pikë dhe Kanadaja është pa pikë dhe tashmë është eliminuar. Nëse Kanadaja mund Marokun, ka mundësi që Kroacia dhe Belgjika të avancojnë tutje.

“Është shumë e vështirë të hysh në lojë duke kërkuar vetëm një pikë – ky nuk është mentaliteti ynë”, tha Vlashiq. “Ne duhet të futemi patjetër për fitore, sepse nëse kërkon vetëm një pikë, pranon një gol dhe je në gjendje paniku krejt papritur. Kështu që ne shkojmë për fitore dhe besoj se do ta marrim atë edhe pse kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë”.