Sport

Agjencia e përkohshme antidoping po firmos memorandume me federata para se të testojë sportistët

Vitin e shkuar u themelua, kurse pak muaj më parë u bë edhe me zyrën e saj. Bëhet fjalë për Agjencinë e Antidopingut të Kosovës (KosADA). Me t’u vendosur në zyrën që gjendet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, KosADA ka filluar me nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me federatat sportive të Kosovës.

Sipas drejtuesve të KosADA-s, brenda kësaj jave të gjitha federatat do të firmosin memorandumet e bashkëpunimit, dokumente që i vlerësojnë të rëndësishme. Ato kanë të bëjnë me fushatat edukative dhe vetëdijësuese kundër dopingut, në mënyrë që sporti i Kosovës të mbahet i pastër nga substancat e ndaluara stimuluese.

“Ky është një fillim i mbarë. Çështja e parandalimit dhe luftimit të dopingut në sport është domosdoshmëri e kohës. Çdo gjë që punohet në këtë drejtim është e mirëpritur”, ka thënë Gëzim Murseli, koordinatori i KosADA-s për KOHËN.

“Këtë javë besoj se përfundojmë nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me të gjitha federatat sportive duke krijuar një lidhje bashkëpunimi dhe me të cilën marrëveshje vendosim kornizat e bashkëpunimit derisa për këtë të gjitha federatat deri më tani kanë mirëpritur fillimin e aktiviteteve edukative, në një të ardhme të afërt, lidhur me vetëdijesimin e komunitetit sportiv për efektet negative dhe parandalimin e dopingut”.

Meritat për themelimin e kësaj agjencie i ka Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), pas insistimit të vazhdueshëm nga Agjencia Botërore e Antidopingut (WADA) dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Këtë e ka pranuar edhe kreu i KOK-ut, Besim Hasani, të martën. Hasani ka thënë se KosADA përbëhet prej personave të përgatitur, trajnimin e të cilëve e kanë bërë përgjegjësit e Organizatës Regjionale të Evropës Lindore për Antidoping (EERADO). Sipas Hasanit, është shumë e rëndësishme që KosADA më në fund ka zyrën e saj, që është e domosdoshme kur federatat e Kosovës janë nikoqire të garave apo kampionateve të ndryshme ndërkombëtare.

“Me nismën KOK-ut përkohësisht është themeluar KosADA dhe kësaj i ka paraprirë insistimi këmbëngulës i WADA-s dhe IOC-së. Me rëndësi është se KosADA do të punojë dhe do të jetë funksionale. Me ligjin për sport ka qenë e paraparë që kjo të themelohet nga qeveria ose kuvendi me iniciativë të ministrisë, por pasi kjo nuk ka ndodhur, përkohësisht e kemi themeluar këtë agjenci, ndërkohë Ministria e ka nismën për ta dërguar në kuvend që të themelohet agjencia e antidopingut ashtu siç kërkohet”, është shprehur Hasani, duke shtuar se agjencia tashmë ka filluar me aktivitete dhe është plotësisht e pavarur. “Në marrëveshje me KOK-un dhe MKRS-në kemi vendosur që përkohësisht ta formojmë këtë agjenci në mënyrë që të mos dalim keq para WADA-s, e cila e publikon listën e komiteteve që nuk nënshkruajnë marrëveshje me WADA-n, sidomos në prag të Lojërave Olimpike të mos dalim si komitet që nuk e kemi këtë agjenci. Personat në këtë agjenci tashmë janë aftësuar dhe janë në fazën e nënshkrimit të marrëveshjeve me federatat e ndryshme”.

Hasani ka insistuar se KosADA është në kontakte të përhershme me WADA-n, dhe, sipas tij, do ta ketë për obligim t’i bëjë testet e rreth 20 sportistëve brenda çdo viti. Me teste të tilla, Hasani pret që KosADA të fillojë prej vitit të ardhshëm. Në fakt, KosADA do të marrë vetëm mostrat, që pastaj do t’i dërgojë në laboratorët e licencuar nga WADA.

“Do të bëhen 10-20 teste brenda çdo viti nga KosADA, krahas kontrolleve të tjera që i bëjnë organizatorët e Kampionateve Evropiane, Botërore dhe ata të Lojërave Olimpike. Mostrat dërgohen në laboratorë të licencuar nga WADA, kurse përzgjedhja e sportistëve që do t’i nënshtrohen kontrollit për doping bëhet në bazë të kritereve të WADA-s. Përqendrimi është në sportistët elitarë, por nuk do të thotë se edhe sportistët e tjerë të mos u nënshtrohem testeve”, tha Hasani.

Edhe në KosADA janë optimistë dhe presin që së shpejti të fillojnë me testimin e sportistëve. Në fakt, koordinatori Murseli ka shtuar se KosADA është gjëja më e mirë që mund t’i ketë ndodhur sportit të Kosovës, sidomos pas ndërkombëtarizimit pasi sportistët do të kenë mundësinë të edukohen dhe sensibilizohen rreth dopingut.

“Krahas aktiviteteve edukative dhe sensibilizuese për antidopingun, një vend të veçantë dhe kulmor zë edhe marrja e mostrave për testim nga sportistët, për të cilën gjë kemi planin strategjik operativ në koordinim me faktorë relevantë ndërkombëtarë të kësaj çështjeje”, tha Murseli. “ KosADA është pjesa që i jep ngjyrimin më të fortë ruajtjes së integritetit në sport dhe njëkohësisht ka rëndësinë e veçantë pas ndërkombëtarizimit të plotë të komunitetit sportiv të Kosovës pa përjashtuar edhe obligimet që dalin nga anëtarësimet e Federatave tona në asociacionet dhe federatat ndërkombëtare”.

Zyrtarë të federatave sportive në Kosovë që kanë firmosur memorandumin me KosADA-n kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me këtë agjenci. Të martën memorandumin e bashkëpunimit me këtë agjenci e firmosi edhe Federata e Hendbollit e Kosovës (FHK).

“Besoj që ky bashkëpunim ka rëndësi që ta zhvillojë sportin në baza të shëndosha dhe të jetë i kontrolluar, duke mos iu mundësuar sportistëve dhe të tjerëve rreth sportit të shërbehen me mjete të palejuara, të cilat në fund të fundit edhe e rrezikojnë jetën e sportistit për një rezultat, që nuk është i ndershëm, por i rrezikshëm”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci. “Jemi e vetmja federatë që kemi mbajtur edhe seminar për antidoping para fillimit të edicionit 2020/21 me trajnerë, mjekë e fizioterapeut të klubeve. Prandaj zhvillimi i kësaj agjencie ka rëndësi të posaçme”.

Ndërkohë, në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) kanë insistuar se ishte momenti i duhur që basketbollistët kosovarë në të dyja konkurrencat të vetëdijesohen rreth dopingut.

“Marrëveshja me KosADA-n ishte shumë e mirëseardhur dhe menjëherë jemi treguar të gatshëm për të filluar bashkëpunimin pasi mendojmë se klubet tona, përkatësisht lojtarët në të dyja konkurrencat kanë nevojë për më shumë njohuri rreth dopingut. Madje, mendoj se jemi vonuar goxha në këtë aspekt, por ishte momenti i duhur për vetëdijesim. Kemi nevojë shumë sa i përket edukimit për dopingun dhe ne tashmë kemi ofruar bashkëpunimin si me klube ashtu edhe përfaqësuese”, ka thënë sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku.