Golden Eagle Ylli është kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në basketboll. Të shtunën mbrëma në Suharekë, Ylli e mposhti Vëllaznimin e Gjakovës në ndeshjen e parë të xhiros së 12-të.
Ylli fitoi me rezultat 83:75. Në fakt ndeshja ishte interesante, por suharekasit e mbyllën më mirë dhe fituan me tetë pikë dallim.
Çereku i tretë përfundoi me rezultatin 63:62 në të mirë të Vëllaznimit. Më pas gjakovarët shënuan për 66:62. Por vendasit shpejtë dolën para dhe mbajtën epërsinë deri në fund.
Ylli e fitoi çerekun e parë me rezultat 26:21, ndërsa të dytin me rezultat 18:17. Skuadra gjakovare bëri kthimin e madh në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 25:18. Por nuk mbajti ritmin në çerekun e katërt.
Për Vëllaznimin ishte humbja e dytë rresht. Dy humbjet erdhën pas gjashtë fitoreve rresht.
Jalen Nesbitt udhëhoqi Yllin me 23 pikë e tetë kërcime. Jan Palokaj i kishte 25 pikë e pesë kërcime, ndërsa Gëzim Morina kontribuoi me 14 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime.
Samuel Sessoms u shqua sërish te Vëllaznimi me 24 pikë. Jordan Dallas i kishte tetë pikë e dhjetë kërcime, ndërsa Jalen Ray ndeshjen e përfundoi me 17 pikë.
Ylli tani ka bilanc prej shtatë fitore e pesë humbje. Vëllaznimi pësoi humbjen e gjashtë, ndërsa i ka edhe gjashtë fitore.