Sport

Botafogo humb titullin edhe pse ishte lider dhe kishte 13 pikë më shumë

Ekziston një thënie e vjetër në futbollin brazilian: disa gjëra i ndodhin vetëm Botafogos. Dëshmia për mungesën historike të fatit të klubit nuk ka qenë kurrë më e dukshme se këtë vit.

Klubi i lojtarëve që fituan Kupën e Botës, si Mane Garrincha, Jairzinho dhe Mario Zagallo, humbi një avantazh prej 13 pikësh në ligën braziliane dhe tani Palmeirasi do ta mbrojë titullin në xhiron e fundit të kampionatit. Është hera e parë që një ekip humb një avantazh kaq të madh në ligën elitare të vendit të Amerikës së Jugut.

Xhiroja e fundit do të zhvillohet pa asnjë shpresë për tifozët e Botafogos kundër Internacionalit. Vlen pos për të përfunduar në pozitën e katërt, që do të mjaftonte për të siguruar një vend direkt në Copa Libertadores.

Klubi nga Rio de Janeiro aktualisht është i pesti në tabelë.

Botafogo ishte në krye të tabelës për 31 nga 38 xhirot, duke u dhënë tifozëve të shumëvuajtur besimin se klubi i tyre do të festonte titullin e parë kombëtar që nga viti 1995. Shpresat për titullin e Botafogos u zhdukën pas barazimit 0:0 me Cruzeiron, të dielën, një ndeshje që përfundoi me disa tifozë që ofenduan lojtarët dhe dogjën fanellat e ekipit në stadiumin “Nilton Santos”.

Vetëm disa edicione më parë tifozët do të ishin të emocionuar për të përfunduar në pjesën e epërme të tabelës. Por pasi biznesmeni amerikan John Textor bleu klubin vitin e kaluar, pritshmëritë u rritën në mënyrë dramatike.

“Duhej të ishim pak më të përulur. Ne kishim nevojë të mbanim ritmin në çdo ndeshje, të shfrytëzonim momentin e klubit”, tha sulmuesi Diego Costa. “Duhej ta linim egon tonë anash në mënyrë që të kishim rezultate të mira. Shpresoj që ky të jetë një mësim i mirë për të gjithë ne”.

Pikërisht kundër rivalit të xhiros së fundit, Internacional, Botafogo arriti avantazhin prej 13 pikësh më 12 gusht. Deri atëherë disa tifozë kishin bërë tatuazh trofeun, qeshën me rivalët që humbnin pikë nga pretendentët e rënies dhe filluan të debatojnë se në cilën xhiro ekipi do të kurorëzohej kampion.

“Ndiqe liderin!”, thërrisnin tifozët e Botafogos pas çdo fitoreje nga ekipi i tyre, i përbërë me lojtarë pak të njohur si portieri Lucas Perri, mbrojtësi Adryelson, mesfushori Eduardo dhe sulmuesi Segovinha. Por më pas ishte koha e Botafogos që i ndodhën disa gjëra. Botafogo nuk arriti të fitojë 10 ndeshjet e fundit në kampionat.

“Të tallesh me një tifoz të Botafogos sot është si të gjesh një trup të pajetë në trotuar, ta shkelmosh dhe të ikësh duke qeshur”, tha Felipe Neto, një nga mbështetësit më të njohur të klubit. “Trupi i vdekur nuk mund të ndiejë më asgjë”.

Botafogo pranoi gola të vonshëm për të humbur pikë ndaj Bragantinos, Fortalezas dhe Santosit.

Pronari Textor ka akuzuar konfederatën braziliane të futbollit, e cila organizon ligën, për trukime ndeshjesh, pa dhënë asnjë provë.

“TV Globo” i Brazilit raportoi të mërkurën se Textor po shqyrton një padi kundër trupit udhëheqës të futbollit. CBF-ja tashmë ka paditur Textorin për akuzat e tij.

Humori është ndonjëherë mënyra e vetme që fansat kanë gjetur për t'u përballur me dështimet e Botafogos. Kjo është mënyra se si komediani Marcelo Adnet ka ndihmuar mbështetësit e tjerë të përballen me humbjen masive.

“Dhjetë ndeshje pa fituar. Gjithçka është kthyer në normalitet”, tha me shaka Adnet. “Textor e bëri Botafogon më famë ndërkombëtare më shumë se kurrë. Tani jemi një turp në të gjithë botën”.