Sport

Shkaku i borës, ndeshjet shtyhen edhe në Austri

Të reshurat e mëdha të borës kanë bërë që edhe në Austri të ketë shtyrje të ndeshjeve të fundjavës.

Kushtet atmosferike në Innsbruck, Klagenfurt dhe Salzburg, kanë bërë që ndeshjet të shtyhen. Duelet Tirol – Rapid Vienna dhe Salzburg – Wolfsberger, janë shtyrë për një ditë tjetër, ndërsa pritet vendimi përfundimtar edhe për ndeshjen ndërmjet Klagenfurtit dhe Hartbergut.

Skuadrat, ndeshjet e të cilave janë shtyrë, kanë njoftuar në rrjetet sociale të shtunën se nuk do të luajnë.

Në Innsbruck në natën e mbrëmshme ka rënë 25 centimetra borë dhe situata ka qenë e rënduar. Elitës së futbollit të Austrisë i prijnë Salzburgu dhe Sturm Grazi, që kanë nga 33 pikë në 15 ndeshje.