Sport

Nevesi nuk do t’i bashkohet Newcastlet

Ruben Neves ka thënë se “dëshiron të qëndrojë” te skuadra e Arabisë Saudite, Al-Hilal, dhe nuk do t’i bashkohet Newcastle Unitedit në formë huazimi. Ish-kapiteni i Wolvesrhamptonit iu bashkua skuadrës arabe në muajin qershor për 55 milionë euro.

Lajmin për qëndrimin e tij tek Al-Hilali e ka konfirmuar të shtunën vetë mesfushori 26-vjeçar.

“Nuk dua të largohem. Mendoj se spekulimet janë për shkak të pronarëve arabë dhe për shkak se kam luajtur në Angli. Ka pasur interesim nga Newcastle para se të vijë këtu, por jam shumë i kënaqur këtu, edhe familja ime është e kënaqur. Po kaloj kohë shumë të mirë”, ka deklaruar Neves.

Al-Hilal të premten mbrëma mposhti Al-Nassrin e Ronaldos 3:0, në ndeshjen e xhiros së 15-të të elitës së futbollit të Arabisë Saudite.

Neves e kompletoi ndeshjen. Në 19 ndeshje të edicionit aktual në të gjitha garat, ka realizuar dy gola dhe ka tri asistime. Al-Hilali ka 41 pikë në vendin e parë, shtatë më shumë se Al-Nassr i pozitës së dytë.