Sport

Ballkani synon pikët e plota ndaj Astanas

Skuadra e Ballkanit synon të kthehet në Kosovë me pikë të plota nga Astana e Kazakistanit.

Trajneri i kampionit të Kosovës në futboll, Ilir Daja, ka insistuar se Ballkani në Kazakistan ka udhëtuar për fitore. Ai në konferencën për media të mërkurën, ka përmendur përparësitë që Astana i ka në duelin kundër ekipit të tij. Por ka theksuar se Ballkani në Astana nuk ka udhëtuar me “flamur të bardhë”.

Ndeshja Astana – Ballkani luhet të enjten nga ora 16:30 dhe i takon raundit të katërt të grupit C të Ligës së Konferencës. Ballkani është në vendin e tretë me tri pikë, sa i kanë edhe Dinamo e Zagrebit në vendin e dytë dhe Astana që renditet e katërta. Viktoria Plzen i prin grupit me nëntë pikë të mbledhura nga tri ndeshje të zhvilluara.

“Nëse marrim krahasimin, Astana ka më shumë eksperiencë se ne në garat evropiane. Ka më shumë ndeshje ndërkombëtare se ne. Ne jemi për herë të dytë që marrim pjesë në garat evropiane. Në udhëtim e kemi më të vështirë, pasi Astana ka në favor klimën dhe mbështetjen e publikut. Prandaj presim ndeshje të vështirë, por nuk kemi ardhur të dorëzuar. Përtej vështirësive edhe ne do të kërkojmë maksimumin në këtë ndeshje edhe të rezultatit”, ka thënë Daja.

Trajneri Daja tregoi se Ballkani udhëtoi të hënën për në Astana të Kazakistanit, në mënyrë që lojtarët të përshtaten me klimën dhe orën. Astana është pesë orë para Kosovës.

Daja ka ngulur këmbë se përballja me Astanan do të jetë e vështirë. Por ai nuk e sheh ekipin e tij indiferent.

Ballkani e humbi muajin e kaluar ndeshjen në Prishtinë nga Astana me rezultatin 2:1. Por Daja pret t’i revanshohen ekipit nga Kazakistani.

Astana është një prej skuadrave më të trofeshme në elitën e futbollit të Kazakistanit. Është shtatë herë kampion i Premier Leagues së Kazakistanit, tri herë fitues i Kupës dhe gjashtë herë fitues i Superkupës së Kazakistanit.

“Sigurisht neve na pëlqen të jemi fitues, por është ndeshje e vështirë. Astana ka ekip goxha të mirë, si në aspektin fizik, ashtu edhe taktik. Por nuk mund të jap përqindje ai që do ta fitoj ndeshjen, sepse futbolli është një sport jo shkencë ekzakte dhe unë përgatis ekipin tim për t’u futur në fushë për ta fituar ndeshjen”, ka theksuar Daja.

Daja u pyet edhe për fushën e stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja. Atij iu kujtua se Astana luan në fushë me bari sintetik. Daja u tha gazetarëve nga Kazakistani se nuk do të jetë problem, pasi edhe ekipi tij ndeshjet si vendës në kampionatin e Kosovës i luan në fushën me bari sintetik.

“Nuk është problem i madh, pasi edhe ne si vendës luajmë në fushë me bari sintetik. Përparësi do ta kenë vetëm mbështetjen e publikut, por edhe për ne do të jetë mirë, pasi futbolli luhet për publikun dhe ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, ka thënë Daja.

Përkrah Dajës, para gazetarëve u paraqit edhe mbrojtësi i majtë, Arbër Potoku. Edhe Potoku e cilësoi të vështirë përballjen me Astanën.

“Është përballje e rëndësishme, por në këtë nivel të garave janë të tria rezultatet. Kishim lojën në Prishtinë, por fati nuk ishte në anën tonë. Po punojmë të përshtatemi me motin dhe orën për t’u kthyer në Prishtinë me kokën lart”, ka thënë Potoku.

Potoku insiston se Ballkani do të mundohet ta kompensojë humbjen në Prishtinë, e cila ishte e para për Ballkanin pas pesë fitoreve rresht në kuadër të garave evropiane.

“Në atë ndeshje në Kosovë, pritjet kanë qenë më të mëdha nga ana jonë. Astana është skuadër e mirë, por nganjëherë fati nuk është në anën e më të mirit. Astana na ndëshkoi me dy goditje dhe fitoi ndeshjen. Për ne është viti i dytë dhe eksperienca flet për kundërshtarët. Objektivi ynë nuk ka qenë kalimi i grupit, por duke parë fitoren ndaj Dinamos na janë rritur objektivat. Kemi gjasat tona për të kaluar grupin. Do të ishte madhore për ne nëse do ta siguronim fazën nokaut”, ka thënë Daja.

Pas ndeshjes ndaj Astanas, Ballkani e pret Plzenin në Prishtinë më 30 nëntor. Duelin e fundit në grup do ta luajë në udhëtim ndaj Dinamos në Zagreb, më 14 dhjetor. Për ekipin nga Suhareka ky është edicioni i dytë rresht që paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Edicionin e shkuar Ballkani nuk arriti të avancojë nga faza e grupeve, pasi në gjashtë ndeshje të luajtura regjistroi një fitore, një barazim dhe katër humbje.