Gliha pranon gabimin ndaj Rumanisë, tregon çka i mungon Kosovës
Në një intervistë të gjatë për “Sportske Novosti”, selektori i Kosovës, Primozh Gliha, ka folur për lidhjet me presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin, për zhvillimet në ndeshjen me Rumaninë, për atë se çka mund të mësojë Kosova prej Kroacisë dhe për shumë tema të tjera
Primozh Gliha nuk jep intervista për mediumet kosovare, por ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin kroat “Sportske Novosti”. Në intervistën e publikuar të hënën, selektori i Kosovës në futboll ka folur për tema të shumta. Tekniku slloven kryesisht ka folur për të kaluarën, por ka prekur edhe tema aktuale. Ndër të tjera ka pranuar gabimin ndaj Rumanisë në Bukuresht, ndërsa ka dhënë mendimin e tij se çka i mungon përfaqësueses së Kosovës.
“Në ekipin e Kosovës e kam Amir Rrahmanin, ish-lojtarin e Splitit dhe Dinamos, që është fantastik. Djaloshi është ‘ligë e parë’ dhe kapiteni im, ndërsa si lojtar është ndërtuar në Kroaci. Gjithnjë u them lojtarëve – shembull duhet t’i keni kroatët. Nuk ka filozofi këtu. Kosovarët kanë mentalitet të ngjashëm me atë të kroatëve, luftarakë, energjikë. U duhet vetëm të sofistikojnë mendimin në terren që kroatët në gjenetikë e kanë marrë nga austro-hungarezët”, ka thënë Gliha për mediumin e fuqishëm kroat.
Ai më pas ka folur për humbjen 2:0 të Kosovës nga Rumania në Bukuresht. Ajo ndeshje mbeti në hije të incidenteve që ndodhën. Për shkak të thirrjeve “Kosova është Serbi” dhe shpalosjes së panos me këtë përmbajtje, ndeshja ishte ndërprerë për 50 minuta.
Gliha thotë se Kosova nuk do të mposhtej sikur mos të ndërpritej ndeshja. Ka pranuar se gaboi me një vendim në atë takim.
“Mirë ka thënë një zyrtar rumun – sikur mos të ishte ndërprerja njëorëshe, Rumania nuk do të shënonte gol në dy ndeshje. Arbitri në Bukuresht na e përjashtoi një lojtar në minutën e 43-të. Në fund unë bëra një gabim pasi në minutën e 80-të, me një lojtar më pak në fushë, kam kërkuar fitoren dhe nxora nga blloku një lojtar dhe aktivizova një sulmues kur rezultati ishte 0:0. Ndeshja ishte e rëndësishme për ne si për Rumaninë – kush fiton zë hapin. Kam gabuar që nuk mora barazim pa gola, më pas pranuam dy gola. Ai barazim nuk do të thoshte asgjë për Kosovë, por për mua si trajner do të vlente shumë. Por jeta është e tillë. Kur je sulmues në gjenetikë, atëherë dëshiron të fitosh. Ndonjëherë edhe kur nuk mund të fitosh, mendon se mundesh”, ka thënë Gliha.
Lidhur me incidentet Gliha ka thënë se “në Ballkan kjo është gjë normale, nuk është asgjë e re dhe specifike. Lojtarëve u kam thënë vetëm një gjë pas ndeshjes së parë – më së miri ua kthejmë nëse ua shënojmë tri gola. Ky do të ishte leksioni më i mirë për atë që na ndodh. Arbitri francez na ka prerë duke e përjashtuar lojtarin tonë. Dhe këtë duhet ta marrim si pjesë të futbollit”.
Gliha ka thënë se kur u shfaq panoja “Kosova është Serbi”, lojtarët nuk kanë menduar për futbollin por vetëm për emocionet. Ka thënë se personalisht ishte shumë i fokusuar në udhëheqjen e ndeshjes dhe nuk e ka parë panon në tribuna. Por i kanë treguar lojtarët. Gliha i ka pyetur lojtarët për hapin e radhës dhe ata i kanë thënë se nuk do të luajnë. Trajneri slloven ka menduar se ndeshja nuk do të vazhdojë për shkak të ndërprerjes njëorëshe. Ka thënë se për ekipin vendas kjo ishte pozitive, por jo për Kosovën.
“Ai karton i dytë i Muriqit ishte vetëm reflektim i ngjarjeve në tribuna. Për mua ajo ndeshje nuk është e rregullt edhe pse rezultati me siguri do të mbetet, ka thënë Gliha. Ai thotë se Rumania i është frikësuar Kosovës. E ka përsëritur se po të mos ndërpritej ndeshja, Kosova nuk do të mposhtej.
Gliha e ka ditur se Kosova është pa gjasa për kualifikim në Evropian, kur pranoi postin e përzgjedhësit.
“Kur e mora drejtimin, Kosova kishte tri pikë nga katër ndeshje, ndërsa luajti me Andorrën dhe Bjellorusinë. E kam ditur që plasmani në Evropian është mision i pamundur. Po ta mposhtnim Zvicrën ndoshta. Kemi luajtur 2:2, shënuam në minutën e fundit dhe mendova se do të shembet stadiumi. Është emocion që e kam përjetuar vetëm kur Greg Zhidan shënoi gol për Dinamon në vitin 1991, ndaj Zvezdës për fitoren 3:2”.
Gliha e ka menduar se si do të dukej Kosova sikur lojtarët më të mirë kosovarë të ishin në përfaqësuese. E di se do të ishte një përfaqësuese e hatashme.
“Shaqiri, Xhaka, 5-6 lojtarë që luajnë për Shqipërinë. Do të ishte një reprezentacion i jashtëzakonshëm për shtetin me dy milionë banorë. Kanë shumë talent. Janë shumë eksplozivë, energjikë. Kanë shumë predispozita fizike por secili e ka pasaportën e tij dhe luajnë për përfaqësuese të ndryshme. Po të mblidheshin njëmbëdhjetë më të mirët, edhe Kroacia do ta kishte vështirë”, vlerëson Gliha, që Kosovën do ta drejtojë deri në fund të eliminatoreve për “Euro 2024”.
Gliha ka konfirmuar se e ka shok të mirë presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin. Ka mendime në Kosovë se miqësia me Çeferinin i mundësoi Glihës që ta drejtojë Kosovën. Gliha ka treguar se e njeh Çeferinin nga mosha dhjetëvjeçare dhe se kanë shkuar në shkollë të njëjtë.
“Ka pasur prindër të shkëlqyer. Babai avokat i madh, intelektual, nëna ‘King Kong’. Ishte drejtoreshë e shkollës sonë. Kishte karizmin, kur është paraqitur të gjithë kemi qëndruar të qetë. Ka pasur aq autoritet saqë nuk është dashur të thoshte asgjë. Të gjithë e kemi ditur se çka duhet të bëjmë. Aleksandri ka tipare të babait e nënës, ndërsa është edukuar shkëlqyer. Ne në Grosuplje (qytet në Slloveni) jemi të edukuar si ju kroatët. Shënon tri gola, ndërsa njerëzit të thonë pse nuk e shënove të katërtin”, ka thënë Gliha.
Për presidentin e UEFA-s ka theksuar se do të ishte sulmues i mirë sikur mos të kishte shumë për të mësuar. Selektori i Kosovës thotë se presidenti i UEFA-s, Çeferin, ka mentalitet fitues, i respekton të gjithë dhe nuk e nënvlerëson askënd.
Gliha ka pranuar se Çeferini e ka ndihmuar shumë në jetë.
“Më mirë që është avokat. Ai ishte kapiten i klasës së tij, unë i klasës sime. Gjithnjë kemi luajtur kundër njëri-tjetrit. Ishte rivalitet i madh. Unë nuk kam bërë asgjë në jetë për të, ndërsa ai për mua shumë. Kur e mora drejtimin e përfaqësueses së re të Sllovenisë, Çeferin ishte president i federatës. Më ka pritur në takim në tetë e gjysmë në mëngjes. Më ka pritur në kostum, i rregulluar, nuk ka aty miqësi. Çdo gjë zyrtare. E kam pyetur nëse i kam borxh dikujt që jam selektor i U21. Më është përgjigjur, asgjë, vetëm puno si mendon dhe rezultatet do të tregojnë se sa je i mirë”, thotë Gliha. Ai thotë se Çeferini nuk bën asgjë “me lidhje”, por vetëm duke u dëshmuar.
Gliha ka thënë se i mungon qetësia dhe se është shumë agresiv. Ai tërhoqi për krahu Edon Zhegrovën në ndeshjen me Rumaninë dhe për këtë mori kritika të shumta.