Skuadra e madhe çeke, Viktoria Plzen, është kundërshtarja e parë e Ballkanit në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Kampioni i Kosovës për herë të dytë luan në grupet e Ligës së Konferencës, ndërsa grupin sërish e ka shumë sfidues.
Ndeshja Viktoria Plzen – Ballkani zhvillohet të enjten prej orës 21:00 në “Doosan Arena” në Plzen.
Më 3 gusht, Plzeni kishte luajtur në “Fadil Vokrri” dhe kishte fituar me shumë vështirësi ndaj Dritës së Gjilanit. Triumfoi 2:1 me gol shumë të vonshëm. Drita kishte nxjerrë barazim pa gola në Plzen më 27 korrik dhe kishte shfaqur nivel të lartë në të dy ndeshjet, duke i shkaktuar shumë vështirësi Plzenit.
Por skuadra çeke është rritur shumë prej atëherë, sa u takon rezultateve. Pas ndeshjes në Prishtinë i ka fituar të gjitha nëntë ndeshjet zyrtare. Dritën e kishte eliminuar në raundin e dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës. Në raundin e tretë e eliminoi Gzira Unitedin e Maltës, duke e mposhtur në dy ndeshjet. Tobolin e Kazakistanit e eliminoi në plejof të Ligës së Konferencës, po ashtu me dy fitore.
I ka fituar edhe pesë ndeshjet e fundit në kuadër të kampionatit të Çekisë. Në fundjavë fitoi 7:1 në udhëtim ndaj Zlinit. Aktualisht e mban pozitën e katërt në tabelë me 16 pikë nga shtatë ndeshje. Në nismë të kampionatit kishte një humbje e një barazim, por më pas rreshtoi fitoret.
Viktoria Plzeni është favorit i madh ndaj Ballkanit. Por klubi suharekas tashmë ka përvojën e ndeshjeve të forta ndërkombëtare dhe do të kërkojë pikët në Çeki.
Plzeni ka përvojë të gjatë edhe në Champions. Së fundi në fazën grupore të Ligës së Kampionëve ishte edicionin e kaluar. Ishte në grupin më të vështirë, me Bayernin, Interin dhe Barcelonën. I humbi të gjitha gjashtë ndeshjet, por paraqitja në Champions dëshmon për nivelin e kundërshtarit të ardhshëm të Ballkanit.
“I ftoj të gjithë tifozët në ndeshjen e së enjtes. Do të jetë me rëndësi të nisim garën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tifozët përfundimisht do të jenë ndihmë e madhe për ne. Besoj se ‘Doosan Arena’ do të jetë e mbushur”, ka thënë kapiteni i Plzenit, Lukas Hejda.
Ndërkohë Ballkani të martën kompletoi stërvitjet në Suharekë. Të mërkurën udhëton për në Plzen, ku zhvillon edhe një stërvitje para ndeshjes së vështirë të së enjtes.