Kosova është kthyer dy herë nga disavantazhi për të barazuar në fund me Zvicrën. Festa e madhe u takoi tifozëve të Kosovës. E gjithë ndeshja ishte festive dhe shumë korrekte. Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka u pritën shumë ngrohtë dhe u larguan mes duartrokitjeve. Barazimi solli entuziazëm te Kosova, që shpresohet se do të shërbejë për ndeshjen e së martës ndaj Rumanisë
Tifozët kishin nisur të largoheshin nga stadiumi, kur Kosova realizoi një aksion që në fillim nuk premtonte shumë. Kapiteni Amir Rrahmani shkoi në zonën e kundërshtarit. Dribloi një kundërshtar dhe pasoi bukur për Meriton Korenicën. Korenica me thembër përcolli topin te Vedat Muriqi. Muriqi goditi saktë dhe topi përfundoi në rrjetë. Ishte minuta e 94-t e takimit.
Pasoi një festë e madhe e lojtarëve në fushë e po ashtu e tifozëve në tribuna. Me golin e Muriqit, Kosova barazoi 2:2 rezultatin në ndeshjen ndaj Zvicrës. Me këtë rezultat edhe përfundoi takimi.
Ndeshja e së shtunës mbrëma në “Fadil Vokrri” ishte vlerësuar festë futbolli. Dhe përfundoi me festë po ashtu. Barazimi është festuar sikur të jetë fitore nga tifozët e Kosovës.
Në fakt atmosfera ishte festive gjatë tërë ditës në Prishtinë. Nuk ka pasur rivalitet mes tifozëve, por sjellje korrekte e miqësore nga të dyja palët. Pas ndeshjes më shumë kanë festuar tifozët e Kosovës. Ka pasur parakalime me vetura e rënie të borive.
Kosova mbetet prapa në garën për kualifikim në Evropian, por pika e fituar ndaj Zvicrës pritet ta rikthejë entuziazmin rreth përfaqësueses. Sigurimi i pikës me gol në minutat shtesë vetëm sa shkon në favor të kësaj.
Goli i barazimit 2:2 u shënua kur një pjesë e tifozëve nisën të humbnin besimin se mund të merret diçka nga ndeshja “vëllazërore” me Zvicrën. Zvicra ishte duke udhëhequr 2:1 prej minutës së 79-të dhe dukej se po kontrollonte lojën. Por më pas u organizua aksioni, që solli golin e dytë të “Dardanëve”, festën e madhe e entuziazmin.
“Kemi nisur lojën sipas taktikës, me kundërsulme. Një mosmarrëveshje na kushtoi. Ishte rrezik të biem prej lojës. Është normale që Zvicra të na shënojë, por nuk duhet të biem. Por ia dolëm të barazojmë rezultatin. Më pas nisëm të dalim jashtë taktikës. Pësuam për 2:1, por reaguam. Kam përqafuar të gjithë lojtarët pas ndeshjes. Nuk është e rëndësishme kush shënon. Faleminderit bashkëlojtarëve dhe tifozëve që na përkrahen deri në momentet e fundit. Për ta bërë më të vlefshme këtë pikë, duhet të fitojmë në Rumani. Nëse vazhdojmë të luftojmë si sonte, besoj se do të arrijmë shumë”, ka thënë Vedat Muriqi pas ndeshjes.
Ai ishte figura kryesore e mbrëmjes. Ka rrezikuar në shumë raste portën e Zvicrës, që ruhej nga Yann Sommer.
Muriqi e shënoi edhe golin e parë, në minutën e 65-të. Shënoi pas një krosimi të Milot Rashicës nga krahu i majtë.
Kosova ka pasur edhe raste të tjera, por është dashur dy herë të barazojë rezultatin për të marrë një pikë në fund.
Zvicra kaloi në epërsi që në minutën e 14-të. Remo Freuler ishte realizator. I njëjti lojtar bëri goditjen, pas së cilës Amir Rrahmani realizoi autogol në minutën e 79-të. Me autogolin e Rrahmanit, Zvicra kaloi në epërsi 2:1.
Përzgjedhësi slloven i Kosovës, Primozh Gliha, ka marrë një pjesë të madhe të meritave për barazimin. Ka përmendur gjeneralin e ushtrinë. Ka thënë se ushtria është skuadra dhe se ajo luan sipas personalitetit që bartet nga gjenerali, në këtë rast trajneri.
“Problemi është që gjithnjë duhet të kthehemi në rezultat. Këtë duhet ta ndryshojmë. Këtë nuk e kemi arritur deri më tani. Është e vështirë. Vojvodën e vendosa para mbrojtjes si zgjedhje taktike. Nuk kemi lojtar tjetër në atë pozitë. Nuk ishte vendim i befasishëm për mua. Ka të bëjë me gjeneralin dhe ushtrinë. Ka shumë rëndësi se çfarë personaliteti bartet te skuadra”, ka thënë Gliha.
Është pritur me shumë interesim ndeshja mes Kosovës e Zvicrës. Shumë lojtarë të Kosovës janë të lindur në Zvicër, ndërsa Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri janë lojtarët kryesorë të Zvicrës.
Xhaka ishte pothuajse i pagabueshëm me pasimet e tij, por nuk ishte shumë i përfshirë në përfundim të aksioneve. Shaqiri po ashtu është përfshirë pak. Ka dhënë pasim maestral te goli i dytë i Zvicrës, por nuk ishte aktiv si zakonisht. Të dy janë pritur shumë ngrohtë në Prishtinë. Ka pasur duartrokitje kur është thirrur emri i tyre e po ashtu kur dolën në fushë. Ngrohtë është pritur edhe Ardon Jashari, ndërsa vetëm kur u përmend emri i Uran Bislimit kishte fishkëllima. Bislimi vjet luajti për Kosovën e tani është te Zvicra.
Buja rreth Xhakës e Shaqirit disi la në hije përfaqësuesen e Kosovës. Por ajo mori pikë ndaj Zvicrës, që vazhdon të jetë e para në grup. Për Kosovën është pika e katërt që e mban në pozitën e parafundit. Vetëm Andorra ka më pak pikë se Kosova.
Shaqiri është shprehur i lumtur e krenar që luajti në Kosovë, përkatësisht në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ka thënë se ka realizuar një ëndërr.
“Ka qenë nder i madh të vij këtu dhe të luaj në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Me të ndjerin Vokrri kam pasur raporte të mira. Nder i madh që luajta sonte këtu. Të gjithë fansat ishin përkrah nesh. Është privilegj i madh që kurrë nuk do ta harroj. Është nder që jam këtu, që ndjeva himnin e Kosovës. Privilegj i madh të luaj në stadiumin me emrin e legjendës. Ishte speciale për mua që nuk do ta harroj kurrë. E kam pasur ëndërr të luaj këtu dhe këtë ëndërr e realizova”, ka thënë Shaqiri. Ai ka lënë të kuptohet se në rrethana të tjera do të mund të ishte lojtar i Kosovës.
“Njerëzit e dinë që kam pasur kontakte me Fadil Vokrrin, me federatën. Ishim në kontakte me Fadilin, me trajnerin. Më pas erdhi ‘Euro 2016’ dhe e kemi kuptuar pas ngjarjes që nuk mund ta ndërrojmë më përfaqësuesen. Megjithatë jam shumë i kënaqur si po luajnë djelmoshat e ri për Kosovën. Shpresoj se do të kualifikohen në ndonjë ngjarje të madhe. Loja ishte shumë e vështirë për ne. Kosova luajti shumë defenziv. Kemi krijuar disa shanse, shënuam golin e parë, më pas edhe të dytin. Kosova luajti mirë në kundërsulm dhe shënoi golin e dytë. Respekt për Kosovën, pasi ka kualitet. Edhe mund të shënojë në çdo moment”, ka shtuar Shaqiri.
“Dora” e Glihës është parë te Kosova. Ai aktivizoi nga fillimi Bernard Berishën, e kthyer në përfaqësuese pas një kohe të gjatë. Nuk është se Kosova shkëlqeu në fushë, por në fund mori pikën në mënyrë dramatike. Dhe përnjëherë barazimi u ndje si fitore. U festua gjatë e me pasion.
“Të gjithë e kemi ditur rëndësinë e ndeshjes. Sot performanca ishte më e mirë se ndeshjet e kaluara. Patëm edhe pak fat në fund dhe arritëm të shënojmë dy herë. Kemi luajtur me kundërshtarin më të mirë në grup dhe kemi dhënë maksimumin. Duke e ditur forcën e kundërshtarit jemi fokusuar në mbrojtje dhe kemi provuar me kundërsulme. Kemi provuar ta mbyllim mesfushën dhe besoj që në shumicën e momenteve e kemi arritur këtë. Përmes kundërsulmeve kemi realizuar gola. Në Rumani shkojmë për fitore. Edhe barazimi sonte nuk është i keq duke ditur pozitën ku ishim dhe ndeshjet që i kemi zhvilluar”, ka thënë Milot Rashica.
Menjëherë të martën Kosova luan në udhëtim ndaj Rumanisë. Barazimi “fitues” me Zvicrën mund të marrë kuptim me një rezultat pozitiv në Bukuresht.