Kur u publikua lista ishin tetë. Ndërkohë, janë bërë dhjetë.
Gati një ekip i lojtarëve të përfaqësueses së Kosovës është pjesë e skuadrave të Turqisë. Nëse shtohet edhe një futbollist, me lojtarë të klubeve turke mund të formohet një ekip i tërë futbolli. Aktualisht numri më i madh i reprezentuesve të Kosovës është duke luajtur në Turqi.
Së fundi drejt Turqisë kanë shkuar Arbër Zeneli e Meriton Korenica. Kur Primozh Gliha publikoi listën, më 31 gusht, Zeneli ishte ende zyrtarisht pjesë e Reimsit francez, ndërsa Korenica ishte te Ballkani.
Një prej portierëve të Kosovës, Visar Bekaj, është pjesë e Hatayspor, ku u transferua nga Tirana.
Këtë verë në Superligën e Turqisë kanë kaluar edhe Fidan Aliti e Altin Zeqiri. Mbrojtësi Aliti kaloi nga Zuerichu tek Alanyaspor, ndërsa sulmuesi i krahut, Zeqiri, la Lahtin finlandez për Rizesporin turk.
Vetëm Korenica luan në kategorinë e dytë turke, tek Manisa. Nëntë reprezentuesit tjerë të Kosovës janë në Superligën turke.
Zymer Bytyqi është kthyer në Turqi pas një përvoje dëshpëruese në Greqi. Firmosi këtë verë me Antalyasporin. Milot Rashica pasi fitoi titullin me Galatasarayn, u kthye te Norwich City , ku qëndroi pak javë. Ai ishte i huazuar te Galatasaray edicionin e kaluar dhe pritej të transferohej plotësisht te kjo skuadër me nam. Por u transferua te Beshiktashi, ku nisi me sukses. Lëvizje në verë ka bërë edhe Florent Hadërgjonaj. Nga Kasimpasha kaloi te klubi më i vogël turk, Alanyaspor.
Ibrahim Dresheviq vazhdon të luaj për Fatih Karagumruk, ndërsa Florian Loshaj për Istanbulspor.
Arbër Zeneli është transferuar tek Adana Demirspor, që edicionin e kaluar përfundoi në pozitën e katërt.
Prej “kolonisë” së Kosovës në Turqi, vetëm Rashica luan në klubet e famshme të këtij vendi. Shumica e lojtarëve të Kosovës janë në skuadrat e pjesës së poshtme të tabelës. Dhe kjo vlerësohet se nuk i shërben shumë përfaqësueses së Kosovës. Skuadrat më të vogla të elitës turke nuk është se shquhen për ndonjë nivel të lartë.
Me shumë gjasë në përfaqësuese do të ishin shumë më të kënaqur që një pjesë e këtyre dhjetë lojtarëve të ishin në skuadra të top-pesë ligave evropiane. Për shembull që Zeneli të ishte në Ligue 1 të Francës.
Kosova ka pak lojtarë në top-ligat evropiane. Portieri Arijanet Muriq është rezervist te Burnley në Premier League. Një kalim i tij në Turqi nuk përjashtohet. Kapiteni Amir Rrahmani është në Napoli të Serie A. Në ligën italiane paraqitet edhe Mërgim Vojvoda, që është pjesë e Torinos. Leart Paqarada është te Koelni në Bundesligë, Vedat Muriqi te Mallorca në Spanjë dhe Edon Zhegrova te Lille në Francë. Me kaq përfundon lista e lojtarëve të Kosovës në ligat e mëdha evropiane.
Kosova ka disa lojtarë në Superligën e Zvicrës, pastaj në Bundesliga 2, ligën e Rumanisë dhe madje në kampionatin e Rusisë. Por asnjë kampionat nuk prezantohet te Kosova si ai i Turqisë.
Kjo, ndër të tjera, dëshmon për mungesën e konkurrencës në përfaqësuese për shumicën e lojtarëve dhe momentin jo të mirë të tyre në karrierë.
Kosova u grumbullua të hënën për ndeshjet me Zvicrën dhe Rumaninë. Ndeshjen e vështirë me Zvicrën e luan të shtunën mbrëma në “Fadil Vokrri”. Disa prej lojtarëve të klubeve turke pritet të vendosen në formacionin bazë të përzgjedhësit Primozh Gliha.