Amir Rrahmani është prej lojtarëve më të rëndësishëm te Kosova. Është kapiten i përfaqësueses, pjesë e Napolit dhe kampion në fuqi i Italisë me këtë skuadër. Rrahmani vlerësohet i pakonkurrencë te Kosova për njërën prej dy pozitave të mbrojtësit të qendrës.
Në dy ndeshjet e qershorit përkrah tij ka luajtur Fidan Aliti. Mërgim Vojvoda ka mbuluar krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Leart Paqarada krahun e majtë. Ka shumë gjasa që kjo përbërje të vazhdojë edhe në ndeshjet e shtatorit. Kosova të shtunën luan me Zvicrën, ndërsa javën tjetër, më 12 shtator, me Rumaninë.
Ndeshjet e qershorit nuk ishin pozitive për Kosovën. Kjo solli largimin e Alain Giresset dhe ardhjen e sllovenit Primozh Gliha në postin e selektorit. Dhe ndryshime në formacion priten. Ndoshta edhe në mbrojtje.
Aliti përballet me konkurrencë jo të vogël për vendin në formacionin bazë. Por ai mbetet kandidat i fortë po ashtu. Ka kompletuar katër ndeshjet e para të Alanyasporit në Superligën e Turqisë. Kjo skuadër ka një fitore e tri barazime, ndërsa ka pranuar vetëm një gol. Dhe kjo i shkon në favor Alitit, që te skuadra turke u transferua nga Zuerichu.
Ismajl Beka, Valon Zumberi dhe Andi Hoti janë tre emrat e rinj te Kosova. Të gjithë luajnë në qendër të mbrojtjes. Beka po luan rregullisht për Luzernin në Superligën e Zvicrës dhe mund të jetë kandidat i fortë për pozitën e startuesit. Beka është 23-vjeçar dhe po merr vlerësime të mira.
Zumberi po luan në ekipin e dytë të Hamburgut në kategorinë e katërt gjermane. Për të e arritur është vetë ftesa në përfaqësuese A. Andi Hoti nuk ka luajtur ende në Bundesliga 2 për Magdeburgun. Ka një paraqitje për Kupë.
Kreshnik Hajrizi është tjetër kandidat për mbrojtës qendre. Ai në ndeshjen e fundit të Luganos në Superligën e Zvicrës u la në stol. Por ka luajtur në të gjitha ndeshjet e kaluara. Hajrizi ka një paraqitje në ndeshje miqësore për Kosovën.
Sa i takon krahëve, Vojvoda për krahun e djathtë dhe Paqarada për të majtin, nuk kanë shumë konkurrencë aktualisht. Paqarada ka kompletuar të gjitha ndeshjet e Koelnit në Bundesligë. Vojvoda po luan rregullisht për Torinon në Serie A. Te kjo skuadër mbulon krahun e majtë, madje pak më përpara në fushë, por te Kosova ka gjasa të mëdha të kthehet në krahun e djathtë, pozitën e tij natyrale.
Mbrojtësi tjetër i krahut të djathtë, Florent Hadërgjonaj, nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës për ndeshjet e qershorit. Ai ka luajtur në dy prej katër ndeshjeve kampionale për skuadrën e re, Alanyaspor. Në fundjavë kompletoi takimin.
Në skuadrën e tij në qendër të mbrojtjes luan edhe Ibrahim Dresheviq. Por te Kosova ai është paraqitur kryesisht si mesfushor defanziv. Dresheviqi është i pazëvendësueshëm te Karagumruku turk.
Falë edhe prurjeve të reja, konkurrenca për mbrojtje vlerësohet e madhe. Por ky repart do të sfidohet fuqishëm nga Zvicra e po ashtu nga Rumania. Dhe selektorin Primozh Gliha dhe stafin e tij i pret punë e madhe për t’i përzgjedhur më të mirët dhe vendosjen adekuate.