Sport

Jashari i bashkohet Luzernit në stërvitje

Mesfushori Ardon Jashari është kthyer në stërvitje te Luzerni. Por është ende e paqartë nëse ai do të paraqitet të enjten për Luzernin në Ligën e Konferencës.

Luzerni luan ndaj Djurgardenit në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Te Luzerni janë të gatshëm t’i japin hapësirë Jasharit, që deri vonë ishte kapiten i skuadrës.

“Situata nuk ka ndryshuar shumë. Presim shenjën e tij. Nëse ai vjen tek ne dhe thotë se është i gatshëm të japë gjithçka për ne, atëherë sigurisht që nuk do të paraqiteshim pa të”, ka thënë trajneri i Luzernit, Mario Frick.

Jashari ditë më parë tha se dëshira e tij është që të transferohet te skuadra e Baselit. Por, kalimin te skuadra e Baselit nuk e lejoi Luzerni, që vendosi t’ia heqë shiritin e kapitenit. Baseli ka respektuar vendimin e Luzernit.

Jashari ka kontratë me Luzernin deri në qershor të vitit 2026. Ai nuk ishte pjesë e ekipit të Luzernit që barazoi pa gola ndaj Winterthurit, në kuadër të xhiros së parë të Superligës zvicerane.