Sport

Skuadrat e hendbollit mësojnë kundërshtarët evropianë

Katër skuadra kosovare të hendbollit i kanë mësuar të martën kundërshtarët evropianë. Shorti për Kupën Evropiane, ku paraqiten skuadrat kosovare, është tërhequr në Vjenë. Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave kontinentale. Tetë skuadra kosovare e kishin të drejtën e paraqitjes në Evropë, por vetëm katër e shfrytëzuan këtë të drejtë.

Te hendbollistët, kampionia, Besa Famgas, dhe fituesja e Kupës së Kosovës, Trepça, startojnë prej raundit të dytë. Ndeshjet e këtij raundi luhen gjatë muajit tetor.

Besa nuk ka pasur shumë fat në short. Do të përballet me fituesin e ndeshjeve mes Beshiktashit të Turqisë dhe Donbasit të Ukrainës. Beshiktashi e Donbasi takohen në kuadër të raundit të parë, ndërsa fituesi takohet me Besën e Pejës më pas.

Besa në ndeshjen e parë, më 14 apo 15 tetor, do të jetë vendëse. Në ndeshjen e dytë, një javë më pas, do të jetë mysafire. Besa Famgas ishte bartëse në short.

Ndërkohë Trepça luan me Vogoshçën e Bosnjë-Hercegovinës. Ndeshja e parë luhet në Mitrovicë, ndërsa e kthimit në Vogoshça. Trepça në short nuk ishte bartëse.

Te hendbollistet në Kupën Evropiane garojnë Istogu dhe Ferizaj. Kampioni i Kosovës, Istogu, ka udhëtim të gjatë për në Portugali. Përballë në raundin e dytë do ta ketë skuadrën SIR 1 Maio/CBJ nga Leiria e Portugalisë, që ka përvojë të gjatë në gara evropiane.

Ndeshja e parë luhet në Portugali, ndërsa e kthimit në Istog. Në Portugali, Istogu luan më 23 apo 24 shtator. Ndërsa si vendës kampioni kosovar luan më 30 shtator apo 1 tetor.

Udhëtim të gjatë e pret edhe Ferizajn. Ferizaj do të udhëtojë në Izrael për ndeshjen me Maccabi Arazim Ramat Gan. Ndeshja e parë luhet në Izrael, ndërsa e kthimit në Ferizaj.

Skuadrat kosovare të hendbollit prej vitit 2005 luajnë në kupa evropiane. Por nuk është bërë ndonjë hap i madh para. Zakonisht skuadrat kosovare ndalen në pengesën e parë apo e kalojnë një kundërshtar.