Sport

Liderja e Kosovës i bashkohet skuadrës së suksesshme daneze

Njëra prej lidereve të përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Marigona Hajdari, ka ndryshuar skuadër. Ajo ka mbetur në Superligën e Danimarkës, por ka kaluar në skuadër dukshëm më të suksesshme. Organizatorja e lojës, Hajdari, të premten u prezantua nga skuadra Silkeborg-Voel. Silkeborgu vazhdimisht paraqitet në plejofin e elitës daneze, përkatësisht në fazën ku luftohet për titull të kampionit.

Marigona Hajdari deri më tani ishte te Ringkobingu. Ringkobingu dy edicione më parë kaloi në elitë, ndërsa garoi për të mbetur në këtë nivel garash.

“Kam firmosur për një vit. Nuk kam dashur të nënshkruaj për më gjatë, pasi dua të shoh se si do të paraqitem në këtë skuadër. Gjithsesi jam optimiste. Skuadra luan lojë të shpejtë, që më përshtatet dhe pres të dëshmohem e rëndësishme”, ka thënë Marigona Hajdari për KOHËN.

Prejse i është bashkuar Kosovës, katër vjet më parë, Marigona është prej lojtareve kryesore. Është organizatorja kryesore e lojës, ndërsa vlerësohet se ka kontribuar që loja e Kosovës të kalojë në nivel tjetër, dukshëm më të lartë. Shquhet për pamjen e lojës, shpejtësinë, asistimet dhe shpërthimet mes mbrojtjes rivale.

Në elitën daneze paraqitet edhe motra e Marigonës, Arlinda Hajdari, si dhe kapitenia e Kosovës, Lenora Demaj. Kështu tri lojtare të rëndësishme të Kosovës janë në njërën prej top-ligave të hendbollit në botë.

Marigona ka pasur edhe oferta të tjera, por vendosi për Silkeborgun. Ajo në pranverë kishte vendosur që pas gjashtë vjetësh të largohej nga Ringkobingu.

“Silkeborg-Voel është klub atraktiv me shumë vjet në plejofin e ligës daneze. Kjo tregon mjaft për nivelin dhe ambiciet e klubit. Për më tepër mua gjithnjë më ka pëlqyer stili i lojës së Silkeborg-Voel dhe mendoj se më përshtatet. Mezi po pres të bashkohem me ekipin, të takoj vajzat dhe njerëzit në klub”, ka thënë Marigona Hajdari për sajtin zyrtar të klubit të ri të saj.

Ka thënë se ndonjëherë duhet të ketë gjëra të reja për të vazhduar zhvillimin në karrierë. Marigona ndihet e gatshme për sfidën e re. Vlerëson se loja e saj mund të zhvillohet ende.

“Jam e lindur dhe e rritur në Danimarkë. Jam rritur në Holstebro, ku kam jetuar deri në moshën 10-vjeçare. Më pas familja jonë u zhvendos në Tarm, ku nisa të luaja hendboll”, ka treguar Marigona, që ka përfunduar studimet për fizioterapi.

Kalimi i Marigonës në ekip më të madh është lajm shumë i rëndësishëm edhe për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Tashmë Kosova i ka katër lojtare në top-liga evropiane. Mirela Gjikokaj paraqitet në elitën e Norvegjisë. Danimarka e Norvegjia shquhen për nivelin e hendbollit të vajzave dhe prej këtij niveli direkt po përfiton edhe përfaqësuesja e Kosovës.