Portieri Altin Gjokaj ka thënë se ka mbetur pa ndjenja për 2-3 minuta pas një dueli që e pati në pjesën e dytë të ndeshjes së juniorëve të Drenicës kundër Trepçës ’89. Kjo ndeshje u zhvillua të mërkurën.
Gjokaj është portier i parë i ekipit të parë të Drenicës, që nuk ka siguruar mbijetesën në elitën e futbollit të Kosovës.

Ai ka përgëzuar stafin mjekësor të dy skuadrave e po ashtu edhe QKMF-në në Skenderaj dhe Spitalin në Mitrovicë.
“Sot në ndeshjen kampionale me kategorinë e juniorëve mes KF Drenica dhe KF Trepça ‘89, gjatë një dueli në pjesën e dytë, pësova një lëndim ku isha pa vetëdije për rreth 2-3 minuta. Pas intervenimit të mjekëve të të dyja klubeve, vetëdija ime u kthye dhe për shkaqe sigurie me autoambulancë u drejtova drejt Spitalit të qytetit Skenderaj e më pas për në Spitalin e qytetit të Mitrovicës. Pas punës profesionale shëndeti im u rikthye ne normalitet por me disa dhimbje te kokës dhe qafës. Pas rekomandimeve nga stafi i doktorëve jam duke qëndruar në shtëpi me qafën të cilën e kam në izolim dhe duke ju nënshtruar këshillave të tyre. Faleminderit Zotit, stafeve të të dyja klubeve dhe në veçanti stafit të QKMF Skenderaj dhe Spitalit në Mitrovicë, për kujdesin dhe profesionalizimin e treguar në rastin tim”, ka shkruar Gjokaj në Facebook.