Me shumë pasion ishte festa e lojtarëve dhe drejtuesve të Trepçës pasi e fituan Kupën e Kosovës në hendboll, të dielën mbrëma në Prishtinë. Festa ka vazhduar më pas edhe në Mitrovicë, ku Trepçën e pritën qindra tifozë.
Për skuadrën mitrovicase ishte trofeu i parë pas 21 vjetësh. Në vitin 2002 Trepça po ashtu kishte fituar Kupën. Klubi qe katër vjet më parë ishte pranë shuarjes, tani ka synim tjetër të madh – finalen e plejofit. Saktësisht, të paktën finalen e plejofit.
Gjysmëfinalja e plejofit fillon të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Te Trepça presin që numri i shikuesve të jetë më i madh në ndeshjen ndaj Prishtinës, që fillon në orën 19:00. Momenti i lavdishëm besohet se do të ketë ndikim edhe në numrin e shikuesve.
Në finale kalon skuadra që shënon dy fitore apo një fitore e një barazim. Nëse pas dy ndeshjeve rezultati është 1:1, ndeshja e tretë luhet sërish në Mitrovicë.
Trepça ka përfunduar kampionatin e rregullt në pozitën e dytë, ndërsa Prishtina në të tretin. Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave ishin vazhdimisht të forta.
Kështu ishte edhe të shtunën në Prishtinë, kur Trepça kaloi skuadrën prishtinase për të bërë vend në finale të Kupës. Në finale, të dielën, e mposhti Besa Famgasin pas gjuajtjes së penalltive. Ndeshja ishte shumë dramatike, ndërsa përfundoi vetëm pasi u gjuajtën nga 11 penallti. Kjo ndodhë shumë rrallë në hendboll.
“Në secilën ndeshje që është derbi, gjysmëfinale apo finale, gjasat janë 50 me 50. Por dallimin e bën përparësia e terrenit vendas. Edhe pse gjasat janë të barabarta, pres që me ndihmën e shikuesve të avancojmë në finale. Nuk do të jetë lehtë, por jemi të motivuar maksimalisht dhe me tifozët do të arrijmë në finale. Me Prishtinën ishim të barabartë gjatë edicionit të rregullt dhe do të jetë shumë interesant”, ka thënë trajneri i Trepçës, Taib Kabashi.
Ai beson edhe në shpirtin luftarak të skuadrës.
“Kemi ekip të mirë dhe jemi mobilizuar shumë mirë. Shpresoj se do të avancojmë në finale. Pres të japim maksimumin dhe të tregoj shpirt luftarak në çdo ndeshje. Për këtë jemi veçuar dhe kjo është shumë e rëndësishme. Suksesi në kupë na ka motivuar edhe më shumë për të kërkuar më tepër nga vetja”, ka shtuar Kabashi.
Trepça nuk është paraqitur shumë gjatë në finale të plejofit, ndërkohë që Prishtina paraqitet thuajse rregullisht. Por ka kohë që është dominuar plotësisht nga Besa Famgas.
Prishtina ka luftuar për të hyrë në plejof. Dhe tani natyrisht synon finalen.
“Pres që lojtarët e mi të luajnë dy ndeshjet më të mira të edicionit dhe të kalojmë në finale, ndonëse Trepça është ekip më i fortë se ne. Por treguam që dimë dhe mundemi të fitojmë, sidomos tani kur të na kthehet Rron Ramadani. Ne i kemi arritur të dy synimet tona, ishim në turneun final të kupës dhe jemi në plejof. Çdo gjë më shumë është përtej maksimumit të këtij ekipi, sidomos kur dihet që në një moment i kishim pesë lojtarë të lënduar. Ende na mungon Agon Bajqinovci”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Edin Bojagjiq.
Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit takohen Besa Famgas dhe Vushtrria. Ndeshja e parë luhet të enjten në Pejë, ndërsa Besa është favorite e madhe.