Drenica është skuadra e parë e Superligës së Kosovës që edhe zyrtarisht nga edicioni tjetër, për herë të parë do të bëj gara në rangun e dytë të futbollit kosovar.
Drenica me disfatën e pësuar në udhëtim te Trepça ’89 të shtunën me rezultatin 3:1, ka humbur gjasat për ta zënë të paktën vendin e barazhit, që është një mundësi shtesë për t’i shpëtuar mbijetesës. Ishte ndeshje që i takoi xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës.
Deri në fund të kampanjës së sivjetme të Superligës, Drenica do t’i zhvillojë edhe tri ndeshje, dhe janë në lojë edhe nëntë pikë.
Por me 23 pikë në pozitën e fundit në tabelë, Drenica e ka të pamundur të dalë në pozitën e tetë, të barazhit, ku aktualisht është Trepça ’89 me 37 pikë pas fitores të shtunën.
“Kuqezinjtë” për herën e parë në histori të klubit do të bëjnë gara në rangun e dytë të futbollit të Kosovës.
Rënia e Drenicës ka ardhur si pasojë e serisë së 10-të disfatave të njëpasnjëshme.
Golat e fitores për Trepçën ’89 i shënuan Egzon Fazliu në minutën e tretë, Madi Karamo Fatty pas gjysmë ore lojë, dhe Rilind Nimani në fillim të pjesës së dytë.
Për Drenicën në fillim të pjesës së dytë shënoi edhe Osman Mëziu.
Trepçës ’89 në këtë ballafaqim iu anuluan dy gola.
Në xhiron e 34-t, Trepça ’89 luan në udhëtim te Ferizaj, një tjetër ballafaqim direkt në luftën për mbijetesë.
Drenica e pret Dukagjinin.