Ishte një vendim i rrezikshëm që Taulant Seferi e mori verën e shkuar. Për shkak të karrierës si futbollist, 26-vjeçari u vendos në Ukrainë dhe atë në mes të zonës së luftës. Seferi po luan në elitën e futbollit të Ukrainës me fanellën e ekipit Vorskla Poltava që nga muaji gusht. Poltava është vetëm 150 kilometra larg Kharkivit, ku ka të shtëna me armë çdo ditë.
“Nuk jam i frikësuar, por është një situatë stresuese”, thotë sulmuesi, i cili ka bërë karrierë edhe në Zvicër. Reprezentuesi i Shqipërisë ka dhënë një intervistë për televizionin zviceran “SRF”.
Seferi tregon se edhe gjatë ndeshjeve situata nuk është e sigurt, por të gjithë tregohen të kujdesshëm.
“Në mes të ndeshjes kam dëgjuar raketat që kanë qëlluar diku. Ishte një moment tejet i vështirë, të cilin do ta mbaj në mend gjatë tërë jetës sime”, kujton Seferi.
Njerëzit mund të pyesin se a ka shkuar Seferi të luajë vullnetarisht në Ukrainë në kohë lufte. Sulmuesi tregon se bëhet fjalë për një ligë të nivelit shumë të lartë, e cila sigurisht që paguan mirë.
“Është një ligë shumë e fortë, me top klube si Dynamo Kiev e Shakhtar Donetsk dhe më pëlqen shumë. Është e nivelit shumë të lartë”, arsyeton vendimin Seferi.
Karriera e futbollit nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për Seferin. Në vitin 2015 skuadra e Young Boysit e pati sjellë në Zvicër si një shpresë të madhe. Të njëjtin vit, Seferi, atëbotë 18-vjeçar, bëri debutimin në Superligën zvicerane dhe në Ligën e Evropës. Më pas lëndimet dhe operacionet e ndryshme ia vështirësuan gjërat për vite me radhë.
Seferi asnjëherë nuk e bëri përparimin e synuar, ndërsa karrierën e vazhdoi në Zvicër te Winterthuri, Xamaxi dhe Wohleni. Në vitin 2021, sulmuesi vendosi të shkonte në Shqipëri ku arriti ta fitojë titullin e kampionit me skuadrën e Tiranës dhe u shpall golashënuesi më i mirë i klubit.
Edhe tani Seferi shënon rregullisht gola për Vorskla Poltavan. Në 19 paraqitje kampionale sulmuesi ka realizuar tetë gola. Edhe pse situata nuk është aspak e qetë në Ukrainë, Seferi është i vendosur të mbetet pjesë e klubit që zë vendin e tetë në tabelë. Te Vorskla do të luajë të paktën deri në fund të sezonit.
Seferi po shpreson që lufta të marrë fund së shpejti dhe shton se “pjesën më të mirë të jetës deri më tani e ka kaluar në Zvicër”.