Sport

Devolli: Humbëm betejën, por lufta vazhdon

Drenica e ka pësuar edhe humbjen e dytë rresht në elitën e futbollit të Kosovës dhe aktualisht është në fundin e tabelës.

Të shtunën, Drenica u mposht në udhëtim te Dukagjini, 2:0.

Megjithatë, trajneri Bledar Devolli, ka thënë pas ndeshjes se skuadra do të luftojë deri në fund që të mbetet në ligë. Ka thënë se Drenica nuk do të dorëzohet.

“Edhe sot na ndodhi njëjtë si me Trepçën ’89. Kishim bërë diçka më ndryshe sot. Nuk kishim shumë kohë për t’u përgatitur. E nisëm mirë ndeshjen. Bëmë ndërrimin e detyruar, morëm golin. Po marrim gola shumë të lehtë, me gabimet tona. Për këtë më vjen keq. E diktuam pjesën e parë, patëm mundësi, por në 20-të metrat e fundit na mungoi pasimi i fundit, ose kur dilnim në fundore, nuk kishte krosim të mirë. Përveç rastit të golit dhe rasteve tjera, e falëm topin lehtë. Kemi një javë kohë të punojmë. Besoj që 2-3 lojtarë do të na kthehen nga lëndimet”, tha fillimisht Devolli.

“Ne e humbëm betejën por lufta vazhdon. Ne kemi besim. Po të mos kisha besim, nuk do të vija në Drenicë. Kemi ndeshjen me Prishtinën. Besoj se do të na kthehen edhe të dëmtuarit. Do të kemi pauzë pastaj dhe kohë mjaftueshëm për të punuar”, është shprehur Devolli pas ndeshjes.