Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka regjistruar me rezultatin e arritur në fushë edhe ndeshjen në mes të Drenicës dhe Llapit. Vendimi është publikuar të martën.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e Klubit të Futbollit Drenica nga Skenderaj dhe ndeshja e javës së 19-të e Albi Mall Superligës së Kosovës, ndërmjet KF Drenica dhe KF Llapi 1932 regjistrohet me rezultat të arritur në fushë, 1:0 në favor të KF Llapi 1932 nga Podujeva”, shkruan në vendimin e KG të FFK-së.
Drenica është ankuar se Llapi ka pasur në përbërje më shumë lojtarë të huajë se që lejohet. Drenica ka pretenduar se Llapi ka të regjistruar shtatë lojtarë të huajë, por KG-ja pohon se Llapi ka të regjistruar vetëm gjashtë lojtarë.
“Me datën 26.02.2022 kemi pranuar certifikatën ndërkombëtare ITC për lojtarin Fernando Augusto Rodrigues nga Federata e Brazilit, rrjedhimisht regjistrimi ne klubin e futbollit KF Llapi 1932 është valid dhe aktiv. Ndërkaq procedurat për regjistrimin e lojtarit Alex Raoul Leyi kanë filluar në sistemin FIFA TMS mirëpo nuk është përfunduar procedura e regjistrimit në sistemin FIFA Connect. Rrjedhimisht, lojtari nuk është i regjistruar nëse nuk kompletohet regjistrimi në FIFA Connect”, shkruan në arsyetimin e KG-së.
Llapi në fundjavë fitoi në udhëtim ndaj Drenicës me rezultatin 1:0.