Dy ditë pasi shkarkoi trajnerin Andre Breitenreiter, skuadra e Hoffenhemit ka angazhuar trajner të ri. Klubi nga Bundesliga, të mërkurën ka njoftuar se trajner i ri i ekipit është amerikani Pellegrino Matarazzo.
Ai ka firmosur kontratë me Hoffenheimin deri në qershorin e vitit 2025, ndërsa në krye të ekipit do të debutojë të shtunën kundër Bayer Leverkusenit.
Matarazzo ka qenë i papunë prej tetorit të vitit të shkuar kur u shkarkua nga posti i trajnerit te skuadra e Stuttgarit.
Ai edhe më herët ka qenë pjesë e Hoffenhemit, por ka punuar si asistent dhe trajner i gjeneratave të reja prej vitit 2017 deri në vitin 2019 kur edhe mori drejtimin e Stuttgartit.
Hoffenheimi është në një seri prej nëntë ndeshjeve pa fitore në Bundesligë dhe aktualisht zë vendin e 14 në tabelë.