Sulmuesi Victor Osimhen do të jetë shënjestra kryesore e Manchester Unitedit në afatin kalimtar të verës.
“The Sun” ka raportuar të premten se drejtuesit e Unitedit janë të vendosur për ta transferuar sulmuesin e skuadrës së Napolit me çdo kusht.
Madje, thuhet se ekipi anglez ka gati ofertën prej 120 milionë eurosh për ta bindur Napolin në lirimin e tij në fund të sezonit.
Osimhen pëlqehet shumë nga trajneri Erik ten Hag, i cili po dëshiron ta ketë në ekip për edicionin e ardhshëm. Nigeriani edhe këtë sezon ka treguar formë të mirë te Napoli dhe po e udhëheq ekipin italian drejt titullit të kampionit.
Ai ka shënuar 15 gola në 20 paraqitje në të gjitha garat, ndërsa me Napolin ka kontratë deri në vitin 2025. 24-vjeçari iu bashkua Napolit në vitin 2020 nga Lille.