Sulmuesi Gabriel Jesus me sukses e ka kaluar operimin në gjurin e djathtë pas lëndimit që e pësoi në ndeshjen e Brazilit kundër Kamerunit, në kuadër të fazës së grupeve në Kupën e Botës. Lajmi është bërë i ditur të martën nga skuadra e Arsenalit, pjesë e së cilës është braziliani Jesus.
Në njoftim thuhet se Jesus menjëherë do ta nisë programin e rehabilitimit dhe në klubin londinez shpresojnë që sulmuesi të rikthehet në fushë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Jesus ishte pjesë e Brazilit në Kupën e Botës “Katari 2022” dhe në këtë turne regjistroi tri paraqitje. Ai ishte titullar ndaj Kamerunit, përpara së të zëvendësohet në minutën e 64-t. Ndërsa, në ndeshjet kundër Serbisë dhe Zvicrës, ai u inkuadrua në lojë pas minutës së 70-të.