Sport

Japonia synon kalimin në fazën tjetër të turneut, luan me Kosta-Rikan

Ndeshja e Japonisë kundër Kosta-Rikas vë përballë dy skuadra që nuk kanë asnjë të përbashkët: Japonia befasoi Gjermaninë duke e mposhtur 2:1, ndërsa Kosta-Rika humbi 7:0 nga Spanja, që shënoi rezultatin më të thellë deri tani në Kupën e Botës sivjet.

Shtatë golat e pranuara nga Kosta-Rika ishin po aq sa skuadra kishte pranuar në tetë ndeshjet e fundit në Kupën e Botës prej vitit 2014. Skuadra po ashtu dështoi të bënte një gjuajtje kundër Spanjës, duke e përsëritur një rekord negativ që kishte ndodhur vetëm një herë që prej Botërorit 1966. Ajo skuadër? Kosta-Rika kundër Brazilit në vitin 1990.

Përzgjedhësi i Kosta-Rikas, Luis Fernando Suarez, ishte i hapur në vlerësimin e paraqitjes së ekipit të tij.

Japonia dhe Kosta-Rika e hapin ditën e diel të Botërorit me ndeshjen që nis në orën 11:00.

“Duhet të jem shumë i drejtpërdrejte: Kemi bërë shumë gjëra gabim. Kemi bërë gabime dhe mendoj se duhet të jemi të qartë se çfarë gabime kanë qenë ato, duke filluar nga vetja, jam përgjegjës për gabimin taktik”, ka thënë ai.

“Duhet ta harrojmë rezultatin. Do të jetë shumë e vështirë. Por ne kemi lojtarë të cilët janë shumë të mirë për të luajtur ndryshe. Duhet të përmirësohemi në prani të portës. Duhet të marrim përgjegjësi dhe të fajësohemi, por duhet të krijojmë rrugë e të fokusohemi në rezultatin pozitiv dhe t’i harrojmë ato që kaluan”.

Kosta-Rika asnjëherë nuk e ka mposhtur Japoninë dhe i ka humbur tri nga katër ballafaqimet e fundit.

Japonia është duke kërkuar dy fitore të njëpasnjëshme në Kupë të Botës për herë të parë që prej vitit 2002 dhe asnjëherë nuk ka shkuar deri në çerekfinale të turneut.

Japonia është u paraqitur për Botërorin e shtatë rresht dhe ka shkuar deri në 1/8 e finales tri herë, përfshirë Botërorin në Rusi në vitin 2018, kur krijoi avantazh 2:0 dhe humbi 3:2.