Sport

Lewandowski do t’i gjuajë sërish penalltitë për Poloninë

Sulmuesi Robert Lewandowski do të vazhdojë t’i gjuajë penalltitë për Poloninë në Kupën e Botës, pavarësisht dështimit në ndeshjen e parë. Kështu, ka insistuar të premten selektori i Polonisë, Czeslaw Michniewicz.

Lewandowski dështoi nga pika e bardhë në ndeshjen kundër Meksikës, e cila përfundoi pa gola, pasi gjuajtjen e tij e priti portieri Guillermo Ochoa.

Ndeshjen e radhës, Polonia e luan të shtunën kundër Arabisë Saudite, e cila në duelin e parë triumfoi 2:1 ndaj Argjentinës.

“Kur vjen puna te penalltitë, Roberti është numri një. Ai ndihet gati për të shënuar për Poloninë dhe do të vazhdoj t’i gjuaj penalltitë”, ka thënë trajneri i Polonisë. Lewandowski ende nuk ka shënuar gol në Botëror në katër ndeshje të luajtura, përfshirë tri në vitin 2018 në Rusi.