Për Cristiano Ronaldon, ditët e fundit ishin të ngarkuara përpara se të enjten të dalë në fushë për ndeshjen e parë të Portugalisë në Botërorin “Katari 2022”.
Para ndeshjes së Portugalisë me Ganën, ylli portugez nuk ka arritur të përmbahet nga emocionet. Atij i kanë shkuar lotët gjatë intonimit të himnit të Portugalisë para ndeshjes të Grupit H, që po zhvillohet në stadiumin “974”.
Dy ditë më parë, Ronaldo dhe Manchester Unitedi arritën marrëveshje për shkëputjen e kontratës me efekt të menjëhershëm.
Ky vendim erdhi pas intervistës së Ronaldos, në të cilën e kritikoi klubin anglez, trajnerin Erik ten Hag dhe disa prej bashkëlojtarëve të tij. Me të ardhmen e tij të paqartë në nivel klubi, Ronaldo është në qendër të vëmendjes në Katar si kapiten i Portugalisë. Ai tashmë është futur në historinë e këtij turneu, pasi u bë lojtari i parë që ka shënuar gol në pesë Kupa të BOtës rresht. Ronaldo shënoi golin e epërsisë për Portugalinë në minutën e 65-të nga penalltia.