Sport

Lewandowski dhe Polonia gati për duelin me Meksikën

Robert Lewandowski Boteror 2022 ne Katar

Golashënuesit më të mirë të Polonisë, Robert Lewandowskit, ende i mungon diçka nga koleksioni i tij: një gol në Kupën e Botës.

Kjo mund të ndryshojë të martën kundër Meksikës, kundërshtares së parë të Polonisë në Grupin C. Ndeshja Meksika – Polonia luhet prej orës 17:00.

Një golashënues shumë efektiv, që u transferua te Barcelona pas një periudhe të suksesshme me Bayernin, Lewandowski ka 18 gola në të gjitha garat këtë edicion. Për Poloninë ai ka shënuar 76 gola në 134 paraqitje. Në moshën 34-vjeçare, Kupa e Botës në Katar mund të jetë shansi i fundit i Lewandowskit për një gol të lakmuar në ngjarjen më të madhe të futbollit.

Polonia shënoi vetëm dy gola katër vjet më parë në Rusi, nga Jan Bednarek e Gregorz Krychowiak, dhe u eliminua nga faza e grupeve pas humbjeve nga Senegali dhe Kolumbia. Polonia, e renditur në vendin e 26-të në botë, nuk arriti në Kupën e Botës 2010 apo 2014 dhe përfaqësuesja nuk ka kaluar në raundin e eliminimit që nga viti 1986. Përfundimi më i mirë i Polonisë ishte vendi i tretë në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1974 dhe në Spanjë në vitin 1982.

Lewandowski shënoi në fitoren 2:0 në plejof kundër Suedisë në mars, duke i dhënë Polonisë një vend në Kupën e Botës. Ai e përfundoi me nëntë gola në kampanjën kualifikuese.

Polonia futet në Botëror pas fitores 1:0 ndaj Kilit javën e kaluar në ndeshjen e fundit përgatitore. Dueli ndaj Meksikës mund të jetë tregues i mirë për dy përfaqësueset.

“Kjo është një lojë e rëndësishme për ne. Është e rëndësishme që të tregojmë besim. Ne e dimë se Meksika luan futboll me cilësi të lartë, ne e dimë potencialin e rivalit. Ne do të luftojmë për të fituar dhe do të bëjmë më të mirën”, tha Lewandowski. “Meksikanët kanë shumë cilësi dhe ritëm. Janë dinamikë. Ne duhet të jemi gati për t'i ndaluar që të na shkaktojnë probleme."

Meksika është përfshirë nga pasiguria dhe lëndimet. Trajneri Gerardo “Tata” Martino përfshiu sulmuesin e Wolverhamptonit, Raul Jimenezin, i cili nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi në ijë. Ai u inkuadrua nga stoli në humbjen 2:1 ndaj Suedisë javën e kaluar. Ishte ndeshja e tij e parë që nga gushti.

“Mezi pres ambicien, urinë dhe dëshirën e Raulit për të luajtur, për të qenë në fushë, për të kontribuar dhe për të ndihmuar ekipin”, tha portieri meksikan Guillermo Ochoa.

Megjithëse kishte shpresa që sulmuesi i Sevillas, Jesus Corona, mund të shërohej nga lëndimi përpara Kupës së Botës, ai u la përfundimisht jashtë listës përfundimtare të Meksikës. Meksika ka edhe disa mungesa të tjera të rëndësishme. Martino la jashtë sulmuesin e ri Santi Gimenez, që luan për Feyenoordin, si dhe golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave të Meksikës, Javier “Chicharito” Hernandezin, i cili nuk ka luajtur për përfaqësuese që nga viti 2019.

Martino është përballur me kritika si për rezultatet e fundit të ekipit ashtu edhe për vendimet e tij.

“E vetmja gjë që mund të ndryshojë opinionin e njerëzve janë rezultatet dhe kjo është ajo për të cilën do të luajmë në këtë Botëror”, tha Martino.

Meksika përfundoi e dyta në kualifikimet e CONCACAF-it pas Kanadasë dhe përpara Shteteve të Bashkuara. Por skuadra e Martinos shënoi vetëm katër gola në pesë ndeshjet e fundit kualifikuese. Meksika nuk shënoi fitore kundër Kanadasë dhe SHBA-së, gjatë raundit final.

Katër vjet më parë në Rusi, Meksika humbi nga Brazili 2:0 në 1/8 e finales, duke shënuar herën e shtatë radhazi që nuk arrin në çerekfinale në turneun kryesor të futbollit. Dështimi për të avancuar në "quinto partido", ose ndeshjen e pestë, ka qenë pengesë e madhe për Meksikën në turnetë e fundit. Meksika ka arritur në çerekfinale vetëm dy herë, së pari në vitin 1970 dhe përsëri në vitin 1986. Meksika ishte organizatore e të dy këtyre turneve.