Sport

Transferimi në Hungari i qëlluar, Kastrati po kthehet në formë

Pas periudhës së vështirë te Legia Varshava në Poloni, sulmuesi i krahut Lirim Kastrati në fund të gushtit vendosi për një klub më të vogël e ligë më të vogël. Por lëvizja për te Fehervari në Hungari po del të jetë shumë e qëlluar për 23-vjeçarin. Këmbëshpejti gradualisht po e kthen karrierën në rrugën e duhur pas vështirësive që i kishte në Poloni.

Kastrati të dielën kontribuoi me gol e asistim në fitoren 4:1 ndaj Kisvardas. Ishte protagonist, ndonëse jo në gjendjen më të mirë fizike. Për shkak të një shqetësimi, ai u aktivizua vetëm në pjesën e dytë. Por për pak më tepër se 30 minuta lojë ia doli të shënoi gol dhe të përgatit një tjetër.

“Po kaloj formë të mirë në ndeshjet e fundit. Sot hyra në pjesën e dytë, shënova një gol dhe bëra një asistim. Por më e rëndësishme ishte fitorja e ekipit. Jam shumë i kënaqur te Mol Fehervari që nga ardhja këtu. Është një klub shumë i mirë dhe po më përshtatet shumë”, ka thënë Kastrati për KOHËN, të dielën.

Ai në nëntë paraqitje ka dy gola e dy asistime. Ka nisur të luajë prej xhiros së gjashtë.

“Kam munguar në disa ndeshje për shkak të një lëndimi që kam pasur. Atë lëndim pothuajse e kam kaluar dhe po ndihem shumë mirë. Kam filluar të hyj në formën time më të mirë. Shpresoj që me gola dhe asistime ta ndihmoj ekipin që të arrijë synimet që ka këtë sezon”, ka theksuar ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit.

Prej të hënës, Kastrati do të jetë pjesë e Kosovës për miqësoret me Armeninë dhe Ishujt Faroe. Ai është kthyer në Përfaqësuese pas mungesës për një kohë.

“Sigurisht që jam i kënaqur që kam marr ftesën e Kosovës për dy ndeshjet miqësore të muajit nëntor. Ftesa e Kosovës çdoherë është diçka e veçantë për mua. Do të jap më të mirën nga vetja që ta ndihmoj Kosovën. Unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me trajnerin Alain Giresse dhe mendoj që tani është momenti më i mirë që të rikthehem. Kjo, pasi forma ime nuk ishte në nivel të lartë që të zë vendin e dikujt që e meritonte më shumë se unë vendin te Kosova në periudhën e mëhershme”, ka thënë Kastrati.