Sport

Barcelona kërkon këndelljen në “El Clasicon” e parë të Lewandowskit

Me zbehjen e shpresave për sukses në Ligën e Kampionëve, Barcelona e di se titulli në ligën spanjolle është kthyer në detyrim për t’i justifikuar shpenzimet financiare.

Barcelonës, që e luan me Real Madridin “El Clasicon” të dielën, do t’i duhet një mrekulli për t’i shpëtuar eliminimit nga faza e grupeve në Ligën e Kampionëve për vitin e dytë rresht, pasi e ka fituar vetëm një nga katër ndeshje deri tani. Barazimi 3:3 në shtëpi kundër Interit të mërkurën, e ka lënë Barçën në prag të një kalimi të padëshiruar në Ligë të Evropës.

Kjo nuk ishte në plane kur Barcelona shiti të drejtat televizive dhe asete të tjera për të qenë në gjendje të investojë në lojtarë të rinj. Presidenti i klubit, Joan Laporta, u arsyetua se ky rrezik ia ka vlejtur për ta kthyer ekipin në rrugën drejt titujve të mëdhenj dhe harrimin e largimit të dhimbshëm të Lionel Messit.

Shpresa e vogël e Barcelonës për të avancuar në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve qëndron në fitimin e dy ndeshjeve të mbetura të grupit dhe dështimin e Interit për të marrë pikët e plota ndaj Viktoria Plzenit dhe fituesit të grupit, Bayern Munichut.

Robert Lewandowski, të paktën, ka treguar se ia kanë vlejtur paratë e shpenzuara për të. Sulmuesi 34-vjeçar ka shënuar 14 gola në 12 ndeshje në të gjitha garat qëkur u largua nga Bayerni. Ai udhëheq në ligën spanjolle me nëntë gola dhe së bashku me Erling Haalandin dhe Mohamed Salahun në Ligën e Kampionëve kanë nga pesë gola. Dy golat e Lewandowskit kundër Interit e shpëtuan Barcelonën nga disfata.

“Pas një ndeshje të dobët duhet të përballesh me realitetin në mënyrën më të mirë të mundshme, të tregosh se mund të luash mirë dhe të fitosh”, ka thënë Lewandowski për televizionin “DAZN” para “Clasicos” së parë kundër Real Madridit.

“Është moment i vështirë, por ne e dimë se kemi mundësi në ‘Clasico’. Të dalim dhe ta fitojmë ndeshjen”.

Skuadrat rivale janë të barabarta me pikë në krye të tabelës, me Barcelonën që ka goldallim më të mirë. Të dyja kanë nga shtatë fitore e një barazim.

Barcelona është goditur rëndë nga lëndimet, sidomos në mbrojtje, pasi së fundmi humbi Ronald Araujon, Jules Kounden, Andreas Christensenin dhe Hector Bellerinin.

Kjo e ka lënë trajnerin e Barcelonës, Xavi Hernandez, vetëm me Eric Garcian dhe veteranin Gerard Pique në qendër të mbrojtjes kundër Interit. Pique, titullar i padiskutueshëm para këtij sezoni, u vërshëllye të mërkurën pasi e la topin të kalonte mbi të pa e larguar, nga ku Interi e shënoi golin e parë.

Lajmi i vetëm i mirë është se Kounde, i cili mund të luajë në krahun e djathtë të mbrojtjes apo në qendër të mbrojtjes, është rikthyer në stërvitje me bashkëlojtarët të enjten.

Mbrojtja e Barcelonës do të duhet të ballafaqohet me sulmin e Madridit që kryesohet nga Karim Benzema dhe i shpejti Vinicius Junior, i cili prin në listën e golashënuesve më të mirë me shtatë gola në të gjitha garat. Benzema ka tre gola në La Liga, aq sa kanë edhe Rodrygo e Federico Valverde.

Real Madridi është i pamposhtur në 13 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon dhe kërkon t’i mbrojë titujt në Evropë e në Spanjë.

Ndeshja po ashtu do të ketë vëmendje të veçantë në fanellat e Barcelonës, të cilat do ta kenë logon e hutit të këngëtarit Drake.

Klasikja Real Madrid – Barcelona luhet të dielën nga ora 16:15.