Sport

Henry, trajner i Belgjikës ndaj Holandës

Thierry Henry do të jetë në krye të Belgjikës të dielën në Ligën e Kombeve në ndeshjen kundër Holandës, pasi Roberto Martinez është i suspenduar. Kështu ka njoftuar të premten Federata e Futbollit të Belgjikës.

Do të jetë ndeshja e parë e Henryt në krye të përfaqësueses belge. Ish-sulmuesi i Francës u kthye te Belgjika vitin e kaluar, pasi rolin e asistentit e luajti edhe prej vitit 2016 deri në vitin 2018.

Martinezi u përjashtua në fitoren 2:1 të Belgjikës kundër Uellsit të enjten në Bruksel.

Belgjika kualifikohet në finalet e Ligës së Kombeve vetëm nëse fiton në Amsterdam të dielën me tri apo më shumë gola epërsi.

Fituesi i Botërorit të vitit 1998 me Francën, Henry, u pensionua nga futbolli në vitin 2014. Ai ka udhëhequr skuadrën e Monacos dhe Montrealit.