Skuadra e Pejës ja fituar ndeshjen dramatike ndaj Ponte Prizrenit, që i takoi xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në basketboll. Dueli i luajtur të shtunën në palestrën "Sezai Surroi" në Prizren, u mbyll me shifrat 94:91.
Ponte ishte në epërsi të thellë, por nuk arriti ta shënojë fitoren e parë këtë edicion.
Në çerekun e tretë, Ponte kishte epërsi prej 17 pikësh (70:53), por Peja u kthye furishëm për ta regjistruar fitoren e dytë pas asaj ndaj Sigal Prishtinës javën e shkuar në kryeqytet.
Më i merituari për triumfin e Pejës ishte amerikani Rodney Purvis. Ai e mbylli ndeshjen me 31 pikë, ndërsa kontribuan edhe Jalen Tate (18) e Arti Hajdari (16). Në anën tjetër, Ponte nuk arriti ta shmang humbjen edhe pse pati pesë basketbollistë me pikë dyshifrore. Më efikasi ishte Ivan Koleviq me 32 pikë, 8 kërcime e 11 asistime.
Për Ponten, kjo është humbja e dytë në po aq ndeshje të luajtura këtë edicion.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.