Robert Lewandowski ka pranuar se dëshira për një sfidë të re në karrierë e ka motivuar vendimin e tij të largohet nga Bayern Muencheni dhe të firmosë me Barcelonën. Polaku të hënën ka pranuar se me transferimin e tij te Barça ka realizuar ëndrrën e tij për të luajtur në La Liga. Barcelona ka zyrtarizuar transferimin e polakut për 40 milionë euro nga Bayerni, ndërsa Lewandowski pritet të firmosë kontratë trevjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Edhe pse marrëveshja ende nuk është kompletuar, Lewandowski i është bashkuar të hënën Barcelonas në fazën përgatitore në SHBA dhe tashmë është takuar me bashkëlojtarët e rinj.
“Më në fund, jam këtu. Jam shumë i lumtur që i jam bashkuar Barcelonas. Ditët e fundit kanë qenë të gjata, por më në fund marrëveshja u arrit”, tha 33-vjeçari.
Lewandowski, i cili ka fituar tetë tituj kampioni të Gjermanisë dhe ka fituar Ligën e Kampionëve, bëhet përforcimi i katërt i Barçës gjatë kësaj vere pas Raphinhas, Franck Kessiet e Andreas Christensenit. E me fanellën e Barcelonës, Lewandowski synon edhe shumë trofe të tjerë në karrierën e tij. Këtë e ka pranuar në intervistën e tij të parë si lojtar i ekipit nga La Liga.
“Unë jam këtu për të ndihmuar klubin të kthehet në krye dhe të fitojë sa më shumë tituj që të jetë e mundur”, tha Lewandowski, pasi iu bashkua klubit në Florida. “Gjithmonë kam dashur të luaj në një klub të madh të La Ligas dhe kjo është një mundësi e madhe për mua. Është një sfidë edhe për jetën time private. Unë jam një lojtar që gjithmonë dëshiron të fitojë. Kemi lojtarë të mëdhenj, me shumë cilësi në skuadër. Jam i emocionuar për atë që mund të arrijmë të gjithë së bashku”.
Barcelona nuk e ka fituar titullin e kampionit në La Liga në tre sezonet e fundit, ndërsa nuk ka arritur as në finalen e Ligës së Kampionëve që nga triumfi i fundit, në vitin 2015. Nën drejtimin e trajnerit Xavi Hernandez, klubi nga “Nou Camp” po i nënshtrohet një rindërtimi, ndërkohë që po pengohet nga borxhi i konsiderueshëm financiar. E Xavi ka pasur ndikim është në vendimin e Lewandowskit, i cili kishte oferta edhe nga skuadrat e tjera të Evropës. Polaku më të përfunduar sezoni 2021/22 e shprehu dëshirën e tij të largohet nga Bayerni edhe pse kishte kontratë deri në verën e vitit 2023.
“Pas takimit që e pata me Xavin, pashë që idetë e tij përshtateshin me të miat. Ka qenë e lehtë për të marrë vendimin që të transferohem te Barcelona”, ka insistuar Lewandowski. “Dua të luaj dhe të fitoj tituj dhe e di që me Xavin kjo do të jetë shumë e mundur. Ai e di shumë mirë se si ta udhëheqë Barçën. Ai ishte një lojtar i jashtëzakonshëm dhe tani ai është një trajner i madh. Ai ka një të ardhme të ndritur para vetes si trajner dhe unë dua të jem pjesë e saj”.
Lewandowski prej vitit 2010 ka bërë karrierë në Bundesligë, fillimisht te Borussia Dortmundi, ekip që luajti për katër sezone përpara se t’i bashkohet Bayernit. Në 384 paraqitje në kampionatin gjerman, sulmuesi polak ka shënuar 312 gola dhe ka bërë 75 asistime.