Robert Lewandowski u largua nga Bayern Munichu pas tetë vjetësh. Ai u transferua te Barcelona për 45 milionë euro.
Sulmuesi polak ka thënë për “Bild” se largimi nga Bayerni, ishte vendimi më i vështirë.
“Doja të luaja në një ligë tjetër nga Bundesliga, ky vendim ishte marrë që një kohë të gjatë. Por më duhet të theksoj, ishte vendimi më i vështirë i jetës sime”, tha Lewandowski.
Lewandowski dëshiron që shumë shpejt raportet me Bayernin të rregullohen, pasi ato u prishën në javët e fundit.
“Kanë qenë tetë vite të mrekullueshme. Kështu që shpresoj që me një distancë të vogël mund të harrojmë atë që ndodhi në javët e fundit. Kishte gjëra të panevojshme nga të dyja palët. Gjëja më e rëndësishme është ajo që kemi arritur së bashku, titujt dhe fitoret”, deklaroi Lewandowski.
Ai theksoi se ky ishte momenti i fundit që të vendoste për të ardhmen e tij dhe të familjes.
“Vajza ime Klara do të fillojë shkollën vitin e ardhshëm dhe ne duhej të merrnim një vendim. Dhe ai vendim ishte që duhej të ishte diçka e re. Nëse jo tani, ndoshta nuk do të ishte e mundur kurrë. Kjo mundësi ishte një herë në jetë”, u shpreh polaku.
Ai insiston se është shumë mirë fizikisht dhe mendërisht dhe premton maksimumin te Barcelona.