Sport

Mehmedi kujton ndeshjen më të mirë në karrierë me Zvicrën

Ka kaluar një vit prej se Admir Mehmedi e zhvilloi ndeshjen e fundit me fanellën e Përfaqëuseses së Zvicrës. Më 28 qershor të vitit 2021, Mehmedi luajti si zëvendësues në fitoren e Zvicrës ndaj Francës në “Euro 2020”.

Ai u inkuadrua në fushë në minutën e 87-të të ndeshjes së 1/8 të finales të Evropianit. Koha e rregullt e kësaj ndeshje kishte përfunduar 3:3, ndërsa Zvicra kaloi tutje nëpërmjet penalltive. Ishte Mehmedi që shënoi penalltinë e fundit dhe siguroi Zvicrës kalimin në çerekfinale të “Euro 2020”.

Mehmedi thotë se ka qenë edhe ndeshja më e mirë në karrierë me fanellën e Zvicrës. Pas ndeshjes me Francën, Mehmedi nuk u paraqit më për Zvicrën.

“Thellë brenda meje, e dija se do t’i jepja fund karrierës sime në përfaqësuese pas Evropianit. Ndoshta nuk isha 100 % i sigurt, por pothuajse. Kështu që kisha një arsye të veçantë për të shijuar momentin. E hëna e 28 qershorit të vitit të kaluar ishte një ditë normale, si çdo ditë tjetër. Ne ishim përgatitur si për çdo ndeshje tjetër. Edhe nëse kjo ishte paksa e veçantë përballë Francës. Unë isha shumë i qetë atë ditë. Ishim në Bukuresht të Rumanisë. U zgjova normalisht, pastaj hëngrëm bukë dhe bëmë video-analizën para lojës. E dija që do të isha zëvendësues. Pasdite në hotel, më erdhën vëllai dhe shoku im më i mirë. Pimë kafe. Të dy ishin të sigurt se nuk do të kalonim. Ata madje qeshën se sa gola do të merrnim. Por, ne në fund fituam. Ishte ndeshja më emocionuese e karrierës sime. Ndjenja ishte e madhe”, ka thënë Mehmedi për “tdg.ch”.

Zvicra në “Euro 2020” u ndal në çerekfinale nga Spanja. Sulmuesi 31-vjeçar ka shënuar dhjetë gola në 76 ndeshje për shtetin helvetik. Ai është pjesë e Antalyasporit të Turqisë.