Ish-trajneri i Bayern Muenchenit, kroati Niko Kovaq ka marrë drejtimin e ekipit tjetër nga Bundesliga, Wolfsburgut. Zyrtarizimi i tij është bërë të martën në sajtin zyrtar të klubit.
Kovaq me Wolfsburgun ka firmosur kontratë deri në vitin 2025 dhe në këtë post e zëvendëson Florian Kohfeldin, i cili u largua ditë më parë. Kovaq prej fillimit të këtij viti ka qenë i papunë pasi u shkarkua nga skuadra e Monacos.
Ai rikthehet si trajner në futbollin gjerman pas dy vjetësh. Kovaq krahas Bayernit, ekip me të cilin ka fituar tre trofe përgjatë sezonit 2018/19, ka drejtuar edhe Eintracht Frankfurtin për dy vite (2016-2018) dhe pati arritur tëe triumfojë në Kupën e Gjermanisë.
Ai gjithashtu, ka qenë edhe përzgjedhës i Kroacisë prej vitit 2013 deri në vitin 2015. Skuadra e Wolfsburgut, sezonin 2021/22 e ka mbyllur në pozitën e 12-të në elitën e futbollit gjerman.