Driton Kuka e Majlinda Kelmendi janë nderuar me një çmim tjetër për të arriturat e tyre në sport. Të martën ata kanë marrë çmimin “Ditët e Shqipes” pasi Kuka e Kelmendi u vlerësuan për punën dhe përkushtimin e madh që sollën rezultate kulminante për Kosovën nga sporti i xhudos. Ky organizim është mbajtur nën patronazhin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, dhe ish-brigadës 138 “Agim Ramadani” për t’u shënuar Dita e Veteranëve të betejës së Koshares.
Në këtë organizim u vlerësua lart edhe sakrifica e dëshmorëve në betejën e Koshares. Ishte ish-komandanti i brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, ai që ndau çmimet për Kukën dhe Kelmendin. Berisha tha se më 19 prill të vitit 1999, armiku pësoi humbje të mëdha në Koshare dhe u largua i turpëruar. Ndërkohë, këshilltari i presidentes Osmani, Vehbi Miftari, i cili tha se ky çmim dëshmon qartë se si kampionët që sollën lirinë tani po respektojnë disa kampionë të rinj që përmes luftërave sportive po i sjellin Kosovës suksese të mëdha.
“Kampionët e lirisë, të cilët thyen kufirin mes shqiptarëve dhe na mundësuan që ne sot të jetojmë të lirë, po respektojnë disa kampionë të tjerë po kaq të rëndësishëm që me një disiplinë tjetër luftarake por sportive po nderojnë ata që i dhanë shkëlqim Kosovës”, shtoi, ndër të tjera, Miftari.
I nderuar me këtë çmim, trajneri Kuka tha se së bashku me sportistët e tij po e ndjekin rrugën e luftëtarëve të lirisë. “Ne si sportistë po vazhdojmë betejat që ju i keni nisur. Unë me Majlindën dhe me garuesit e tjerë po e ndjekim një vazhdimësi të atyre betejave dhe luftërave që ju i keni bërë gjatë thyerjes së kufirit. Ne sot po ecim nëpër krejt botën dhe po i tregojmë botës se sa shumë e kemi merituar lirinë. Majlinda është një shembull i mirë se populli shqiptar e ka merituar lirinë. Derisa ne kemi të rinj dhe të reja të këtij kalibri nuk duhet të frikësohemi për të ardhmen e kombit”, tha Kuka. Ndërsa Kelmendi shtoi se ndihet krenare që e ka ngritur lart flamurin e Kosovës përmes sportit.
“Jam krenare që e kam ngritur flamurin e Kosovës në arena sportive, për të cilin është derdhur shumë gjak. Lirinë, të cilën ne e gëzojmë sot është pa dyshim meritë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë jam shumë me fat që kam arritur me punën dhe mundin tim bashkë me Tonin me e ngrit flamurin tonë në piedestalin më të madh sportiv, për të cilin është derdhur shumë gjak. Ka qenë nder dhe krenari jashtëzakonisht e madhe për mua ta përfaqësojë Kosovën si sportiste plot 20 vjet dhe jam shumë me fat që m’u ka dhënë mundësia t’i tregoj botës se sa shumë kemi vlera si popull, si komb”, tha Kelmendi, e cila i ka sjellë Kosovës medalje të artë nga Lojërat Olimpike.