Sport

Bardhi insiston se Maqedonia e Veriut mund të matet me Italinë

KD - Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut të hënën ka nisur përgatitjet para ndeshjes gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në kampionatin botëror “Katari 2022”.

Futbollistët janë stërvitur në qendrën stërvitore “Petar Miloshevski” në Shkup, ndërsa mesfushori Enis Bardhi është shprehur optimist para duelit ndaj kampiones në fuqi të Evropës, Italisë. Ndeshja mes Italisë dhe Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet të enjten në Palermo. Fituesi i këtij dueli do të luajë në finalen e plejofit ndaj fituesit të ndeshjes tjetër mes Portugalisë e Turqisë, për një vend në Botërorin që nis në fund të muajit nëntor. Finalja e plejofit për kualifikim në kampionatin botëror “Katari 2022” do të luhet më 29 mars.

Mesfushori i Levantes, Bardhi, që është njëri prej lojtarëve kryesorë të Maqedonisë së Veriut, është i bindur se mund ta tejkalojnë Italinë. Në fakt, Bardhi ka insistuar se Maqedonia e Veriut mund ta mposhtë çdo kundërshtar që i del përpara. Në verën e vitit të shkuar ekipi i vendit fqinj u paraqit për herë të parë në Kampionatin Evropian, kurse u eliminua në fazën e grupeve. Maqedonia e Veriut, sipas Bardhit, do të jep gjithçka nga vetja për t’u treguar kundërshtare e denjë e italianëve. Italia pritet të kenë mungesa të mëdha, sidomos në repartin e mbrojtjes.

“Të gjithë e kemi parasysh se sa ndeshje e rëndësishme është kjo për ne, por gjithashtu edhe e vështirë. Gjëja më e rëndësishme është që të jemi të fokusuar gjatë tërë ndeshjes. Sigurisht se italianët do të mundohen të na mposhtin prej fillimit të ndeshjes, por ne nuk do të dorëzohemi dhe do të japim gjithçka nga vetja”, është shprehur Bardhi. “Ne kemi dëshmuar se mund ta mposhtim çdo kundërshtar. Duhet t’i përmbushim detyrat e trajnerit dhe nëse e bëjmë këtë, atëherë nuk do të kemi problem me cilësinë që e posedojmë”.

Bardhi ka shtuar se te Maqedonia e Veriut do të ndihet mungesa e disa lojtarëve, sidomos e mesfushorëve Elif Elmas e Tihomir Konstandinov. Në mungesë të tyre Bardhi e ka parasysh se do të ketë përgjegjësi më të madhe në fushë.

“Jam gati për këtë ndeshje, sikurse të gjithë lojtarët e tjerë. Mendoj se kjo ndeshje do të vendoset në detaje dhe për këtë arsye çdo top është i rëndësishëm për ne. Gjithashtu duhet të jemi të përgatitur edhe psikologjikisht për t’u përballur me Italinë. Në futbollin e sotëm nuk ka favorit”, është shprehur Bardhi. “I kemi parasysh edhe mungesat në ekip, por ne do të luajmë për të gjithë lojtarët dhe do të tentojmë të vazhdojmë tutje”.

Krahas Bardhit te Maqedonia e Veriut janë grumbulluar edhe Ezgjan Alioski, Valon Etemi e Arijan Ademi. Gjithashtu ekipit në stërvitje i është bashkuar edhe Erdon Daci, pas lëndimit të sulmuesit Adis Jahoviq. Daci ende nuk e ka asnjë paraqitje për Maqedoninë e Veriut, ndërsa është pjesë e ekipit belg Westerlo, dhe këtë edicion ka shënuar nëntë gola.