Thjesht nuk kishte asnjë mënyrë për ta parashikuar një gjë të tillë. Jo vetëm të tjerët, por as Mikaela Shiffrin nuk do ta kishte parashikuar një dështim total të saj në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Që skitarja amerikane do të dështonte në pesë garat individuale në Lojërat e Pekinit, duke u larguar pa një medalje të fituar dhe me pozitën e nëntë si paraqitja më e mirë e saj, ishte mjaft e vështirë të imagjinohej më parë. Fakti që ajo nuk do të arrinte as të përfundonte tri nga ato disiplina - tri që janë më të mirat e saj, duke përfshirë kombinimin e së enjtes së bashku - ishte ndër zhvillimet më befasuese të të gjitha Lojërave Dimërore të këtij viti.
“Sigurisht që po pyes shumë”, tha Shiffrin. “Jam vërtet e zhgënjyer, por edhe e frustruar”.
Shiffrin mbërriti në Kinë si një nga yjet më të mëdhenj të garave të skijimit - ose ndonjë sporti tjetër. Pronare e tri medaljeve olimpike, dy të arta dhe një argjendtë. Gjashtë medalje të arta në Kampionatin Botëror. Tre tituj të përgjithshëm të Kupës së Botës. Megjithatë, 26-vjeçarja nga Kolorado thjesht nuk e shfaqi kurrë teknikën dhe talentin e saj në Qendrën e Skijimit Alpin në Yanqing, rreth 90 kilometra në veriperëndim të Pekinit.
“Kjo është tepër e vështirë për Shiffrinin si person”, tha trajneri kryesor i ekipit te femrave të SHBA-së, Paul Kristofic. “Ne kishim pritshmëri të mëdha kur erdhëm këtu dhe sigurisht që gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç shpresonim”.
Shiffrin foli hapur dhe gjatë në muajt para këtyre garave rreth pritshmërive të mëdha - nga vetja, nga fansat, nga trajnerët, madje edhe nga miqtë e ngushtë dhe familja. Ajo gjithashtu ishte e sinqertë për dhimbjen e vazhdueshme nga vdekja aksidentale e babait të saj dy vjet më parë. Të enjten ajo pranoi se ndoshta po bënte presion të madh dhe kjo i kushtoi me gabime të shumta në gara. Shiffrin tha se nuk e pati ritmin e duhur dhe ndoshta kjo erdhi shkaku i presionit.
“Presioni është aty. Është gjithmonë aty”, tha Shiffrin, jo shumë larg nga vendi ku zvicerania Michelle Gisin mori medaljen e saj të dytë të artë radhazi. “Nuk e di, nuk kam fjalë për ta përshkruar këtë që më ndodhi këtu. Thjesht, nuk kam skijuar mirë”.
Performanca e fundit nën nivelin e Shiffrinit erdhi në pjesën e dytë të kombinimit, e cila i shtohet garës së lëshimit dhe sllallomit të mbajtura më herët. Ajo ishte e pesta në lëshim, rezultat premtues për medalje të artë. Krejt çka duhej të bënte Shiffrin në sllallom dhe nuk arriti, ishte të qëndronte në këmbë për 50 sekonda ose më shumë - aq gjatë sa të arrinte në fund të shtegut. Problemi erdhi pas rreth dhjetë portave dhe dhjetë sekondave. Ajo humbi ekuilibrin dhe përfundoi duke u rrëzuar. Shiffrin u ul për disa çaste në dëborë. Kur ajo u ngrit, ajo tundi kokën, pastaj ngriti sytë nga kodra, sikur po përpiqej të kuptonte saktësisht se ku gjërat shkuan keq. Më vonë, raportet e shtegut - dërguar amerikanëve që vrapuan pas Shiffrinit - paralajmëruan për një prishje në shpatin që mund të ketë qenë ajo që shkaktoi çështjen e së enjtes. Kjo ishte ndër disa gjëra që ajo përmendi në diskutimin e faktorëve që mund të kishin kontribuar në atë që shkoi keq gjatë rrugës gjatë dhjetë ditëve të fundit në Pekin. Shiffrin nuk justifikohej por kërkonte shpjegime sikurse të tjerët për dështimin e saj.
"Përtej largimit nga Lojërat pa medalje - pa medalje individuale - gjëja më zhgënjyese është se pata mundësi të shumta për të skijuar sllallomin në këtë pistë dhe unë, e dini, dështova në të gjitha”, pranoi Shiffrin.
Ishte mjaft e ngjashme me atë që ndodhi në lëshimin e parë në secilën nga dy garat e saj të para: sllallomin e madh më 7 shkurt dhe sllallomin më 9 shkurt. Ajo nuk i përfundoi asnjërën prej këtyre garave, ndonëse ishte favoritja kryesore për medaljen e artë. Në fakt, para katër vjetësh Shiffrin ishte e artë në këto dy disiplina. “Nuk e mbaroi” (DNF), shkruante pranë emrit të saj në fletën e rezultateve për sllallomin e madh në Pekin që ishte i pari i saj në më shumë se katër vjet. 47 fitoret e saj të sllallomit në Kupën e Botës në karrierë janë më shumë se çdokush tjetër që ka fituar në çdo disiplinë të skijimit alpin. Sa u përket disiplinave të tjera të Shiffrinit, ajo ishte e nënta në super-G dhe e 18-ta në lëshim, duke bërë debutimin e saj olimpik në të dy garat. Bazuar në këtë, rezultati më i mirë i Shiffrinit deri më tani në Olimpiadën e Pekinit është ai në super-G, ku doli në pozitën e nëntë. Tani ajo ka në plan të hyjë në ngjarjen ekipore të shtunën, kur të përfundojë orari i skijimit alpin.
“Ajo është qenie njerëzore; ajo është njësoj si ne të tjerët. Ajo lejohet të mos e përfundojë garën. Është garë e skijimit dhe diçka e gabuar mund të ndodhë brenda një sekonde. Kjo është mënyra se si shkon. Ne kemi shumë elementë dhe nuk mund të jesh gjithmonë perfekte”, tha amerikania tjetër, Bella Wright, e cila gjithashtu nuk ishte në gjendje ta përfundonte pjesën e sllallomit në kombinim. “Është vërtet për të të ardhur keq dhe ndihem shumë keq për të. Por unë nuk shqetësohem për të. Ajo është mirë”.