Skuadra pejane, Besa Famgas, ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll. Të dielën mbrëma në Ferizaj, Besa e Pejës e mposhti Kastriotin me rezultatin 38:28. Ndeshja i takoi javës së 15-të, të parës për stinorin pranveror.
Për Besa Famgas është fitorja e 15-të. Besa udhëheq në tabelë me 30 pikë. Kastrioti është në vendin e pestë me 14 pikë.
Denis Shabanoviq i shënoi 14 gola për Besën. 11 gola i shtoi Deniz Terziqi.
Samid Mekiq e Guilherme Da Silva shënuan nga 5 gola për Kastriotin. Kastrioti ka angazhuar katër të huaj, duke përfshirë Mekiqin e Da Silvan. Por ata ndaj Besës të dielën nuk mundën të shfaqin shumë.
Ndeshje e rëndësishme u zhvillua edhe në Gjakovë, ku u takuan Vëllaznimi e Llapi. Fitore shënoi skuadra gjakovare me rezultat 34:31. Vëllaznimi tani i ka 12 pikë në vendin e gjashtë. Llapi mbetet i shtati me 10 pikë.