Sport

Koronavirusi u shkakton më shumë pengesa ekipeve në prag të Kupës së Afrikës

Pandemia e koronavirusit ka shkaktuar edhe më shumë përçarje përpara Kupës së Afrikës, që do të nisë të dielën në Kamerun. Përfaqësuesja e Senegalit është detyruar ta shtyjë nisjen për turneun në Kamerun, ndërsa Burkina Faso do të humbasë lojtarët në ndeshjen hapëse të së dielës.

Senegali, ndër favoritët e turneut, shtyu planet e udhëtimit pas rasteve të dyshuara pozitive në delegacion. Burkina Faso la tre lojtarë të izoluar në Abu Dhabi përpara se të mbërrinte në Yaounde për t'u përballur me Përfaqësuesen e Kamerunit të dielën, në ndeshjen hapëse të Kupës së Afrikës.

Issoufou Dayo, Dramane Nikiema dhe Kylian Nikiema do të lejohen të udhëtojnë për në Kamerun pasi t'i kthejnë testet negative dhe janë pothuajse të sigurt që do të humbasin ndeshjen e së dielës, thanë zyrtarët.

“Nuk do të jemi të kompletuar për ndeshjen e parë, por kjo është situata që duhet ta pranojmë të gjithë. Ne prej ndeshjes së parë do të synojmë rezultate pozitive në këtë turne”, ka thënë përzgjedhësi i Burkina Fasos, Kamou Malo.

Kape Verde, që po ashtu si Senegali është stërvitur në shtëpi përpara turneut, do të jetë pa përzgjedhësin Bubista Pedro Brito Leitao. Bubista ka rezultuar pozitiv me koronavirus dhe është vendosur menjëherë në izolim përpara nisjes së ekipit të planifikuar të enjten.

“Në aspektin psikologjik është një situatë që vështirë mund të kontrollohet, por e rëndësishme është që ekipi është përgatitur mirë dhe mund të udhëtojë. Nuk do të jem në gjendje të jem me ekipin prej ditës së parë, por besoj se do t’i bashkohem së shpejti. Synimi ynë është që ta përfaqësojmë vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme në Kupën e Afrikës”, ka thënë Bubita.

Përgatitjet e Kape Verdes janë goditur nga 21 teste pozitive midis lojtarëve dhe stafit, megjithëse një deklaratë e Federatës së Futbollit tha se pesë lojtarë po stërviteshin përsëri, tre ishin në izolim dhe tetë të tjerë ishin pozitivë, por pa asnjë simptomë. Tunizia raportoi se kapiteni i saj, Youssef Msakni, dhe sulmuesi Seifeddine Jaziri kishin rezultuar pozitivë dhe një miqësore mes Bregut të Fildishtë dhe Malit në Jeddah nuk u zhvillua fare për shkak të rasteve pozitive në kampin e Bregut të Fildishtë.

Malavi u nis për në Kamerun të mërkurën, por gjithashtu la tre lojtarë pas vetes në izolim. Mbrojtësi Mark Fodya, mesfushori Charles Petro dhe sulmuesi Richard Mbulu qëndruan në Arabinë Saudite dhe do të ritestohen të enjten për të parë nëse testet e tyre do të dalin negativë, në mënyrë që të mund të udhëtojnë drejt Kamerunit. Nëse rezultojnë negativë, ata kanë planifikuar të udhëtojnë të premten, thuhet në një deklaratë të shoqatës së futbollit. Bregu i Fildishtë u detyrua të anulojë një ndeshje të dytë përgatitore në bazën stërvitore në Arabinë Saudite.

Edicioni i 33-të i Kupës së Afrikës do të zhvillohet nga 9 janari deri më 6 shkurt. Turneu fillimisht ishte planifikuar të luhej në vitin 2021, por u shty dy herë për shkak të përhapjes së koronavirusit. Pjesëmarrja në këtë turne do të kufizohet në 80 për qind të kapacitetit të stadiumit për ndeshjet që përfshijnë Kamerunin dhe 60 për qind për të gjitha ndeshjet e tjera në turne. Kjo lëvizje nga organizatorët e

Konfederatës së Futbollit Afrikan, vjen pas konsultimit me qeverinë e Kamerunit në lidhje me pandeminë e vazhdueshme të koronavirusit. Spektatorët duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të paraqesin rezultat negativ të testit për të ndjekur ndeshjet. Vetëm dy për qind e njerëzve në Kamerun kanë marrë dy dozat e vaksinave, por raportet tregojnë se ka pasur një rritje të numrit të njerëzve në vend që përpiqen të vaksinohen në mënyrë që të mund të blejnë bileta për Kupën e Afrikës.