Sport

Parker mposht Chisoran, bën hap para drejt luftës për titull

Zelandezi Joseph Parker ka mposhtur edhe për herë të dytë britanikun Derek Chisora, duke bërë kështu hap para drejt një lufte për titull në kategorinë e rëndë në boksin profesionist.

Parker triumfoi të shtunën mbrëma në Manchester me vendim unanim pas 12 raundeve.

Parker në maj kishte fituar me pikë ndaj Chisoras, por ai vendim ishte kontestuar nga shumë ekspertë.

Por, të shtunën mbrëma zelandezi nuk la dilemë. Ai e rrëzoi Chisoran në raund të katërt, të shtatë dhe të tetë.

Ndërsa në fund triumfoi me vendim unanim. Juria e vlerësoi luftën 114:112, 115:111 dhe 115:110.

Për Parkerin është fitorja e 30-të në boksin profesionist, prej tyre 21 me nokaut, karshi dy humbje.

Chisora ka pësuar humbjen e 12-të në karrierë karshi 32 fitoreve.

Lufta mes Parkerit e Chisoras ishte e vlefshme për titullin WBO Inter-Continental.

“Derek bëri luftë mjaft të fortë dhe kurrë nuk u ndal së sulmuari. Ne jemi përgatitur mjaft mirë për këtë luftë. Çfarë dhurate për Krishtlindje”, ka thënë Parker, raporton BBC.