3 perditesime
19:45

Besa humb me tri gola dallim, ka shpresë për ndeshjen e kthimit

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas është mposhtur në palestrën “Borik” në Banjallukë të Republika Srpskas në Bosnjë-Hercegovinë. Skuadra vendase, Borci, ka fituar ndaj Besës me shifrat 28:25.

Ndeshja ishte shumë e fortë, ndërsa epërsinë prej tri golave Borci e krijoi në aksionet e fundit. Por rezultati jep shpresë për ndeshjen e kthimit, që pas një jave është në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Besa ka cilësinë për ta përmbysur rezultatin dhe të avancoj në raundin e tretë të Kupës Evropiane.

Gjatë tërë ndeshjes tifozët serbë të Borcit kanë fyer shqiptarët. Madje kanë bërë thirrje për të vrarë shqiptarët. Fyerjet ishin të pandalshme, ndërkohë që ndeshja në parket ishte korrekte. Lojtarët e Besës kanë ruajtur qetësinë dhe kanë shfaqur ndeshje pozitive. Megjithatë në fund humbën me tre gola dallim. Pas pjesës së parë rezultati ishte 14:14.

Nikola Prce ishte më efikasi te Besa me 7 gola. 6 i shënoi Egzon Gjuka, ndërsa 5 i kishte Deniz Terziqi. Nga 3 gola i shënuan Kastriot Jupa e Arbios Mushkolaj. Me shumë pritje është dalluar portieri Mursel Mehmeti.

18:41

Besa po u reziston thirrjeve për vrasjen e shqiptarëve, po barazon me Borcin

Pa fitues ka përfunduar pjesa e parë e takimit të hendbollit mes Borcit dhe Besa Famgasit që po luhet në Banjallukë të Republika Srpskas, në Bosnjë-Hercegovinë. Pas 30 minutave lojë rezultati është 14:14.

Kampionia e Kosovës, Besa Famgas, ka shfaqur lojë të nivelit të lartë në pjesën e parë. Pejanët nuk i kanë ndalur as fyerjet anti-shqiptarë të tifozëve serb të Borcit.

Fyerjet ndaj shqiptarëve ishin të llojllojshme si: mbyte, there që shqiptari mos të ekzistojë; mbyte, mbyte shqiptarin; kush nuk kërcen është shqiptar; Kosova është zemra e Serbisë.

Janë kënduar edhe këngë nacionaliste serbe që Kosovën e shohin pjesë të Serbisë.

Ndeshja e kthimit është pas një jave në Pejë.

18:15

Thirrje për vrasjen e shqiptarëve në ndeshjen Borci – Besa

Vazhdojnë fyerjet e tifozëve serb ndaj shqiptarëve në ndeshjen e hendbollit, Borci – Besa Famgas që po zhvillohet në Banjallukë të Republika Srpska, në Bosnjë Hercegovinë.

Po bëhen thirrje në kor edhe për vrasjen e shqiptarëve të llojit: mbyte, there, që shqiptari mos të ekzistojë.

“Kush nuk kërcen është shqiptar”, “Kosova është zemra e Serbisë” janë disa prej thirrjeve tjera në ndeshjen në Banjallukë.

18:02

Thirrje anti-shqiptare pa nisur ndeshja Borci – Besa Famgas

Ende pa nisur ndeshja e hendbollit mes Borcit të Banjallukës dhe Besa Famgasit ka pasur thirrje anti-shqiptare në palestrën “Borik” në Banjallukë.

“Kosova është zemra e Serbisë”, janë thirrjet e zëshme të tifozëve vendas. Po ashtu ka thirrje “Kosova, Serbia”.

Borci dhe Besa takohen në raundin e dytë të Kupës Evropiane.