Sport

Mehmedi i shokuar që nuk është përfshirë në ekip për Champions

Wolfsburgu do të jetë pa Admir Mehmedin në Ligën e Kampionëve. Klubi i madh gjerman nuk e ka përfshirë Mehmedin në ekipin për Champions.

Në fakt, trajneri Mark Van Bommel e ka publikuar të premten listën prej 23 lojtarësh në të cilët llogarit për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, që nis këtë muaj. Mehmedi nuk është pjesë e saj. Për Mehmedin kjo është pika më e ulët në karrierë. 30-vjeçari e ka pranuar një gjë të tillë dhe ka thënë se ka mbetur plotësisht i shokuar me vendimin e trajnerit.

“Ishte një shok për mua. Gjithashtu edhe një befasi e papritur, por nuk mund të them që edhe nuk isha shumë i zhgënjyer”, ka thënë Mehmedi të hënën për mediumet gjermane.

Mehmedi e ka marrë vesh se nuk është përfshirë në listën e Championsit të mërkurën e shkuar, pas miqësores kundër Hannoverit që përfundoi pa fitues 3:3. Ai ka pranuar se ende nuk ka mundur të pajtohet me faktin se nuk do të luajë në Ligën e Kampionëve, ndonëse trajneri është përpjekur t’ia shpjegojë vendimin që ka marrë.

“Trajneri më ka thënë se ka zgjedhur lojtarë të tjerë. Ai ka thënë se duhet ta pranojë vendimin e tij. Për mua aktualisht është një situatë e vështirë. Edhe pse po mundohem ta fsheh, nuk po e kam aspak të lehtë, sepse të gjithë jemi njerëz”, ka pranuar Mehmedi.

Edhe pse ka mbetur jashtë listës, Mehmedi nuk është i sigurt nëse dëshiron të largohet nga Wolfsburgu, ekip me të cilin ka kontratë deri në fund të këtij edicioni. Afati kalimtar i verës është ende i hapur në Turqi dhe Rusi, Mehmedi thotë se mundësia që të largohet nga ekipi gjerman mbetet e vogël.

“Mundësitë janë shumë të vogla, pasi gjithmonë vendimet i marrë me qetësi dhe nuk më pëlqen të ngutem”, u shpreh ai. “Është disi e komplikuar, pasi asnjëherë në karrierën time nuk kam qenë në një situatë të tillë”.

Mehmedi megjithatë nuk ka përjashtuar mundësinë e largimit në janar. Madje ka pranuar se synimi i tij është që karrierën aktive ta mbyllë në futbollin zviceran, te skuadra e Winterthurit apo Zuerichut.

“Lënia jashtë ekipit të Championsit ka qenë një goditje e fortë për mua. Mirëpo nuk mund të garantoj se gjërat nuk do të ndryshojnë në dimër. Jam 30-vjeçar, kam familje dhe tre fëmijë. Pra, duhet të merren të gjitha gjërat parasysh”, ka deklaruar Mehmedi. “Synimi është që karrierën ta përfundoj te Winterthuri apo Zuerichu. Jam në kontakte me drejtuesit e Zuerichut dhe familja ime gjithashtu po dëshiron të kthehemi në Zvicër”.

Mehmedi është pjesë e Wolfsburgut prej janarit të vitit 2018, kurse këtë edicion ka dy paraqitje në të gjitha garat. Ai karrierën si profesionist e ka nisur te Zuerichu, kurse është zhvilluar si futbollist te gjeneratat e reja të Winterthurit. Mehmedi ka luajtur edhe për Dynamo Kievin, Freiburgun e Bayer Leverkusenin. Lojtari ofansiv pas përfundimit të “Euro 2020” është tërhequr nga Përfaqësuesja e Zvicrës, për të cilën debutoi në vitin 2011 dhe në 76 ndeshje shënoi dhjetë gola.