Sport

Ballkani bazohet në ekip të dëshmuar në tentim për trofe

Dy edicionet e kaluara, Ballkani i Suharekës ishte në garë deri në xhirot e fundit për titullin e kampionit. Në të dy rastet, përfundoi i treti në tabelë. Në edicionin e kaluar mbeti katër pikë prapa kampiones, Prishtinës, ndërsa sezonin 2019/2020, një pikë larg Gjilanit dhe Dritës. Kjo e fundit e pati fituar titullin falë rezultateve më të mira në ndeshjet e ndërsjella. Për Ballkanin sezoni që nis në fundjavë, do të jetë tentimi i radhës për të fituar trofe. E suksesin do ta ndjekë me lojtarët e dëshmuar dy sezonet e kaluar. Madje, trajneri i Ballkanit, Bekim Isufi, thotë se qëndrimi i lojtarëve që bartën barrën kryesore në dy sezonet e kaluara, do të jetë armë e fortë për sezonin e ri.

“Grupin e lojtarëve që e kemi menduar e kemi gjetur, ndërsa bashkërisht kemi zhvilluar përgatitje shumë të mira. Jemi të përgatitur maksimalisht për fillimin e kampionatit. Brenda grupit ka shumë kualitet, organizimi nuk mungon, dëshira është e madhe për të arritur objektivat e klubit dhe neve na mbetet të mundohemi gradualisht hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje dhe të jemi në hap me shumë skuadra, jo me disa, por me shumë për shkak se unë besoj se nuk jemi vetëm katër apo pesë ekipe që po mendojmë që jemi të forta, por e gjithë liga. Kemi bërë përforcime që na janë dashur. Nganjëherë ke dëshirë të kemi edhe më shumë, por arma jonë e fortë është që 90 për qind e ekipit është e vitit të kaluar dhe ardhjet e reja mendoj se në një mënyrë jemi të kompletuar”, ka thënë trajneri Isufi të enjten për KOHËN. “Është një grup i lojtarëve që njihen 2-3 vjet mes vete. Dhe, ndoshta pjekuria e tyre ka bërë që ne të jemi më të fortë duke mos harruar tifozët të cilët e kanë përkrahur ekipin gjithë këto vite, presidentin që u ka qëndruar afër duke mos kursyer asgjë për ta sjellë në këtë nivel që është Ballkani dhe neve na mbetet në anën tjetër të mundohemi ta krijojmë një grup homogjen, grup i cili do të luftojë në çdo ndeshje, çdo minutë dhe sekondë”.

Ballkani është përforcuar me gjashtë futbollistë gjatë afatit kalimtar të verës: Stivi Frashërin, Theophilus Solomonin, Rustem Hoxhën, Malësor Ajetin, Astrit Thaqin dhe Albion Rrahmanin, ndërsa ka liruar edhe disa futbollistë. Në radhët e veta ka afruar si drejtor sportiv ish-futbollistin e njohur, Nderim Nexhipin. Isufi pranon se me grupin e lojtarëve që ka dhe investimet që janë bërë nga drejtuesit e klubit bën që Ballkani të luftojë për trofe.

“Mendoj që objektivat e klubit janë të qarta, por duhet menduar se ka ekipe e konkurrencë të fortë. Është herët për të menduar për gjëra të mëdha, por do t’ia lëmë kohës dhe ndeshje pas ndeshjeje duhet ta marrim maksimumin, por me vetë faktin se çfarë klubi është në vitet e fundit dhe çfarë organizimi dhe lojtarë ka brenda, unë mendoj që është e qartë se cilat janë kërkesat e Ballkanit. Me vetë faktin që ka shumë investime, lojtarë kualitativë e dimë se cilat janë kërkesat”, është shprehur Isufi.

Ballkani sezonin e ri do ta nisë në shtëpi me Dukagjinin e kthyer në elitën e futbollit kosovar.

“Qëllimi është për të marrë rezultate, kështu që varet edhe prej kundërshtarit dhe prej ndeshjes në ndeshje dhe grupit. Tash kanë ardhur disa prurje dhe derisa të akomodohen, por mendoj se jemi në ato kërkesat që kemi menduar për fillim të kampionatit. Do të luajmë futboll që do të na sjellë rezultat, do t’i qasemi ndeshjes varësisht prej kundërshtarit apo rrjedhës së lojës. Ballkani është i gatshëm për fillim të kampionatit”, ka thënë Isufi.