Abuzimi e ka përcjellë Timo Wernerin për muaj të tërë edhe pse vazhdimisht shënonte gola në portat kundërshtare. Ai është vërshëllyer pothuajse në çdo stadium të kampionatit gjerman gjatë edicionit 2016/17.
Asnjë lojtar gjerman nuk ishte më produktiv sesa Werner në edicionin e fundit në Bundesligë. Po ashtu, asnjë lojtar nuk ishte më i izoluar sesa ai, që sërish gjente mënyrën për të shkundur rrjetën. Në 30 paraqitje kampionale, Werner regjistroi hiq më pak se 21 gola.
Tash Werner është pjesë e Përfaqësueses së Gjermanisë për të cilën shënoi golat e parë fundjavën e shkuar në Kupën e Konfederatave në Rusi. Werner ka filluar të shihet nga seleksionuesi Joachim Loew si çelësi i Gjermanisë për të mbrojtur titullin e botës vitin e ardhshëm. Loew po e sheh Wernerin si pasardhës të denjë të Miroslav Kloses, pasi sulmuesi 21-vjeçar është në gjendje të thyejë çdo mbrojtje.
Shkaku i kësaj aftësie, tifozët gjermanë që e vërshëllyen Wernerin në fillim të këtij muaji kur debutoi me përfaqësuese, tashmë e kanë bërë idhull. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).